Tragjedia e Abelarit po kryhej atë mëngjes të mjegullt të një dite të papërcaktuar, vetëm pak muaj pasi Eloiza – një grua e re, edhe ajo e famshme në kohën e vet, jo vetëm për bukurinë, por, mbi të gjitha, për kulturën e saj të rrallë e të stërholluar – i avitej  altarit të manastirit të Argentëjit, e rrethuar nga keqardhja e të afërmve e miqve për flijimin e rinisë së saj dhe merrte velin nga duart e Ipeshkvit me një gjest të pazakontë, domethënë duke recituar me dramacitet vajtimin e famshëm të Kornelias, që gjendet në Farsalian e Lukanit: “O dhëndër i jashtëzakonshëm! O ti, që meritoje një martesë krejt tjetër…! Përse u martova me ty, kur duhej të shkaktoja fatkeqësinë tënde? Prano tani shpagën e fajit tim, që unë me dëshirë e shlyej për ty!”.

Abelari e kish njohur Eloizën më 1117, kur ishte në kulmin e karrierës e të famës së tij si filozof. Përpara kësaj ngjarjeje Eloiza është krejtësisht e panjohur, aq sa duket se merr dritë nga ylli i Abelarit. E, megjithatë, kjo dritë do të ndriçojë vetë Abelarin, që falë saj do të kujtohet jo vetëm si një filozof origjinal, i lirë, luftarak, i paanshëm, krijues, por edhe si dashnor i një gruaje të jashtëzakonshme, me të cilën jetoi një histori të paracaktuar për të vënë në lëvizje fantazinë dhe ndjenjat e shkrimtarëve, romancierëve e poetëve, duke nisur nga Petrarka, i cili zotëronte një kodik (nr. 2923, në Bibliotekën Kombëtare të Parisit), mbi të cilin gjenden anëshkrime e shënime të bëra me dorën e tij – e deri te Stendali e të tjerë.

Pra, si Abelari, si Eloiza, i japin një rëndësi të veçantë atij mjeti komunikimi që përfaqëson fjala e shkruar: dhe jo libri, që, siç është thënë, mund të jetë një rast, por letra. Arsyeja e parë e përdorur nga Abelari për rëndësinë që ka letra mes të dashuruarve, domethënë mundësia për të shprehur me shkrim atë që nuk do të guxonin ta thoshin me zë, përputhet me sa thotë Eloiza, që “fjalët janë shprehjet më të menjëhershme të shpirtit”. Por arsyeja e vërtetë është një tjetër, së cilës i drejtohen që të dy: letra është një objekt që mund të preket, që mund të shtrëngohet mes duarve si provë dashurie, që na jep mundësi t’i mbajmë sytë në të, për të vjelë jo vetëm tingullin dhe kuptimin e fjalëve, por, nëpërmjet shkrimit, edhe karakterin, madje dhe gjendjen shpirtërore të atij që shkruan; objekt që ruhet e lexohet me kalimin e kohës, çdo herë duke përtërirë ndjenja e duke ngjallur kujtime. Tingulli i fjalëve të shqiptuara zbehet me kalimin e kohës dhe, ç’është e vërteta, fjalët e dashurisë duhen të dëgjohen shpesh e më shpesh, ndërsa fjalët e shkruara janë gjithnjë aty e, pas tyre, fytyra e atij që i ka shqiptuar. Lutja e dëshpëruar e Eloizës “më shkruaj, të paktën!” do të thotë se dashuria e saj është ende po ajo e para, e tillë sa të kërkojë nga tjetri, më së paku, dëshminë që zemra e tij nuk ka ndryshuar.

“I lutem ndjenjës tuaj fetare, që të mos ndaheni prej meje edhe kur të shkoj me Zotin dhe mendoni se qëllimi përfundimtar i gjithë kësaj është lumturia e përjetshme dhe se frytet e kësaj lumturie do të jenë më të ëmbla nëse i shijojmë së bashku”.