Autor i pakrahasueshëm në përshkrimin e pranisë së të keqes dhe korrupsionit në historinë njerëzore. “Zëri i tij i lartë dhe frymëzues” na ngushëllon në mungesën e referencave ideale, që karakterizon botën ku jetojmë. Madhështia e Manzonit manifestohet në faktin, se ai e heton të keqen dhe padrejtësinë në histori nga dy vizione të kundërta: ai “laik” dhe racional  (pesimist, pothuajse i dëshpëruar) dhe ai fetar (që e koncepton Providencën si një urdhër universal që përfshin kohën dhe përjetësinë). Rruga e mundimshme e Manzonit çon drejt misterit, në të cilin besimtarët dhe jobesimtarët mund të njohin  njëri-tjetrin. Nëse fillon të lexosh “Të fejuarit”, zbulon se Alessandro Manzoni ishte mbi të gjitha një autor absolutisht avangardë për kohën kur jetoi. Komunikimi ironik që vendos me lexuesin, dialogu i vazhdueshëm, i aftë për t’u vetëmbrojtur përballë realitetit të përfaqësuar, duke sinjalizuar vërtetësinë e fakteve historike, duke nxjerrë në pah implikimet etike, duke sugjeruar shkurt se cilën anë të mbajë, “Të fejuarit” është shembulli suprem i një antiromani. Mirëpo, aspekteve narrative duhet t’u shtojmë padyshim edhe fiksimin që kishte me gjuhën, që është xhevahiri i filologëve dhe shkrimtarëve.  Nëse gjuha dhe rrëfimi e bëjnë “Të fejuarit” një tekst ultramodern, një lloj antiromani ala Sterne, futjet kritike dhe morale të Manzonit gjithashtu meritojnë rikontekstualizim të kujdesshëm. Pra, devocioni i Manzonit është një religjiozitet që sodit ndërhyrjen hyjnore, por të cilit i shtohen faktorë të tjerë si fati, zgjuarsia, etika dhe e keqja. Po, e Keqja.

Në historinë e dashurisë mes Renzo dhe Luçia, të cilët përfundimisht do të martohen, përveç Providences, do të ndërhyjë vazhdimisht edhe koncepti i së Keqes. Në fakt, kur ata të lënë atdheun e tyre për të shkuar e për të jetuar në Bergamo, do t’u duhet gjithmonë të përballen me “disa angari” (me pak fjalë, fati i keq i pengon lumturinë e tyre).

Alessandro Manzoni, 150-vjet pas vdekjes së tij, ishte një njeri metodik dhe ngulmues, një unifikues i madh i gjuhës dhe kulturës italiane, një shkrimtar absolutisht modernist dhe avangardë. Dëshira për të treguar, inteligjenca e tij e shkëlqyer, pafundësia e temave dhe përmbajtjeve që tregon, së bashku me sasinë e informacionit që arrin të rikuperojë dhe të mbajë së bashku, janë disa nga aspektet që kanë kontribuar për ta bërë atë një gur themeli në letërsinë moderne italiane.