Një nga artistët më në zë të shekullit XX, piktor, skulptor, shkrimtar, regjisor dhe dizajner, mbi të gjitha një nga eksponentët kryesorë të surrealizmit. Aftësi e jashtëzakonshme imagjinare dhe aftësi e jashtëzakonshme pikturuese e bënë Salvador Dalinë, një interpretues origjinal të lëvizjes surrealiste. Piktura e tij, e aftë për të ngërthyer imazhe të çuditshme, duke kundërshtuar rregullat e logjikës së përbashkët, sheh në ëndrra dhe shoqërimet e lira mjetet për të zbuluar realitete të reja, duke u bërë një instrument i vlefshëm eksplorimi, i aftë për të depërtuar në botë të reja. Përmes veprave, ai ndjek një rrugë iluzore dhe fantastike në një lojë paqartësie të qëllimshme midis perceptimit dhe realitetit të gjërave. Prandaj, çdo skenë e pikturuar, në dukje e pazakontë, lind nga kontrasti midis temave të subjekteve dhe realizmit të saktë të krijimtarisë, ku ndërthur gjenialitetin dhe parregullsinë, erotizmin dhe psikanalizën, provokimet dhe misticizmin, efektet optike, si dhe një simbolikë të ndërlikuar të zymtë.

Në “Këmbëngulja e kujtesës”, orët e pazakonta i referohen një reflektimi të thellë mbi kohën, një kohë e matshme që shënon përvojën tonë, duke sfiduar objektivitetin e çdo minute të shpenzuar dhe duke e bërë perceptimin e saj të shkurtër ose të pafund. Një kohë që nuk është e njëjtë për të gjithë, që i referohet subjektivitetit të individëve në perceptimin e kujtimeve. Ora e butë nuk tregon më kalimin e orëve, por përfaqëson aspektin psikologjik të evolucionit individual, ajo bëhet një metaforë, duke stimuluar përdorimin e ëndrrave. Të vështrosh një objekt dhe të shohësh një tjetër është metoda kritike-paranojake që artisti përdor për të krijuar shumë prej veprave të tij, ku çdo përshkrim është i ngarkuar me kuptime të shumta duke treguar histori të reja. Gjithçka shkrihet dhe ndërthuret në një vazhdimësi narrative dhe përmbajtjesore si në veprën “Metamorfoza e Narcisit”, që shoqëron procesin e transformimit. Imazhi është i dubluar, nga njëra anë trupi i Narcisit, i strukur si në barkun e nënës, nga ana tjetër bëhet një dorë, me të njëjtën formë, duke shtrënguar një vezë të çarë dhe nga e çara lulen me të njëjtin emër ka lindur.Çdo gjë merr një vlerë të thellë, sepse na flet për pavetëdijen tonë, për atë që duam dhe atë që kemi frikë dhe më në fund paraqitet si një marrëdhënie e paqartë midis iluzionit dhe realitetit, e cila, në aktin e metamorfozës, na bën të reflektojmë mbi kalueshmërinë e ekzistencës dhe jetës. Themelore në poetikën e Salvador Dalisë është koncepti i lirisë individuale, që e shoqëron në çdo moment të stilit të ndryshuar. Pra, mendim i lirë, krejt i shfrenuar. Ai pohon se forca e mendimit, është liria e tij. Mësimi i artistit është po aq i vlefshëm dhe universal sot sa edhe atëherë: e rëndësishme është ta mbajmë të hapur debatin e artit, gjithmonë dhe në çdo rast, drejt prirjeve të reja, në emër të lirisë dhe rinovimit kulturor, përtej çdo kufizimi. Sepse mbajtja gjallë e aftësisë imagjinative është një kusht i domosdoshëm, së bashku me inteligjencën, për të nxitur procesin e rritjes dhe zhvillimit në të gjitha fushat.