Luigji Pirandelo shkruante nën ndikimin e impulseve të befta, duke ia nënshtruar një reflektimi syçelët: e linte veten të kridhej në botën e fantazisë, por e disiplinonte atë në një përmbajtje të atillë, sa i detyronte personazhet e ardhshëm të shpallnin publikisht atë çfarë rrinte fshehur edhe në zgëqet më të mistershme në skutat e shtëpisë, apo në ndërgjegjen e tyre, që shfaqeshin për të dhënë drejtësi për të tjerët apo edhe për vete. Poet lirik, i kufizuar nga prirja ndaj moralit dhe mençurisë ataviste melankolike, fryt i traditës siciliane, para se të shfaqte një shpirt të mprehtë dhe inatçor; një rrëfyes i pashtershëm, i reduktoi në forma të përgjithshme karakteret e tij, të cilët, të përfshirë nga frymëzimi epik, shkonin verbërisht, por me vetëbesim, për të përmbushur ngjarjet e panumërta të jetës. Përse, sipas Luigji Pirandelos, asgjë nuk është më e ndërlikuar se sinqeriteti? Autori shpjegon: “Ne të gjithë shtiremi në mënyrë spontane, jo aq para të tjerëve, sesa përballë vetes; ne gjithmonë besojmë atë që na pëlqen të besojmë për veten tonë dhe e shohim veten jo ashtu siç jemi në të vërtetë, por siç supozojmë të jemi sipas konstruksionit ideal që i kemi bërë vetes”. Një koncept, ai i vështirësisë për të qenë i sinqertë, të cilin Luigji Pirandelo e përcakton më tej brenda konceptit të maskës: simbolin tjetërsues, indeksin e depersonalizimit dhe copëzimin e egos në identitete të shumta dhe një formë përshtatjeje në lidhje me kontekstin dhe situatën sociale në të cilën ndodh një ngjarje e caktuar. Pirandelo bëri dallimin midis qenies dhe paraqitjes së çdo njeriu. Autori foli për “aktin e botës”: njerëzimi jetoi në një fazë të përhershme, i detyruar të sillet në një mënyrë të caktuar. Sipas tij, kjo përfshinte një skizofreni midis të qenurit dhe të dukurit. Një koncept që në ditët e sotme vijon të jetë tejet i rëndësishëm, veçanërisht duke pasur parasysh urgjencën e Covidit, i cili shpesh na ka vënë para temës së veshjes, të paraqitjes pjesërisht nga jashtë ose, shpesh, ndryshe nga sa është në realitet.

Nobelisti Pirandello është shkrimtari më i famshëm italian i shekullit XX. Siç ndodhi me Makiavelin, edhe nga emri Pirandello rrjedhin disa emra, si për shembull termi “pirandeliano” tregon një ngjarje apo situatë paradoksale, ashtu siç ndodh në romanet e shkrimtarit sicilian. Krahas veprimtarisë si romancier, Pirandelo konsiderohet një nga novatorët më të mëdhenj të teatrit. Në veçanti mund të përmendim “Gjashtë personazhe në kërkim të një autori”, një nga veprat më revolucionare në botë në fushën e teatrit.

Duke jetuar në një periudhë historiko-kulturore të shënuar nga kriza të vlerave të shekullit XIX dhe përfundimit të sigurive shkencore-racionale, Pirandelo maturon një pasqyrim personal kritik-humor të realitetit njerëzor, duke manifestuar nevojën urgjente për të përfaqësuar shqetësimin ekzistencial dhe zhgënjimin e dhimbshëm pasues.