Honore dë Balzak nuk ishte aristokrat, madje nuk quhej as Balzak, por donte të bënte me penën atë që Napoloni nuk arriti ta bënte me shpatën. Qëllimin e kishte shkruar në një copë letre dhe e kishte ngjitur në shpatën e Bonapartit që mbante në tryezën e punës. “Natë e ditë” ishte motoja e tij, natë e ditë punoi për të ndërtuar perandorinë e letrave dhe harta e pushtimeve të tij ishte ajo e komedisë njerëzore.

“Historia e jetës sime është historia e punës sime” – me këto fjalë e përcaktoi Balzaku rrugëtimin e jetës së vet. Shkrimtari lindi më 20 maj 1799 në Tours, një nga qytetet kryesore të luginës së Luarës. Sot konsiderohet ati i romanit realist, shembull i të cilit është kryevepra “Komedia njerëzore”, ku shkrimtari ofron një portret therës të shoqërisë franceze të epokës kur jetoi, nga rënia e Napolonit deri në rivendosjen e monarkisë. Pasi provoi një sërë punësh, Balzaku veshi sërish këmishën e bardhë që mbante gjithmonë për të shkruar dhe, i armatosur me një pendë pate, rifilloi aktivitetin që i pëlqente më shumë. Shkrimtari iu nënshtrua seanca të pafundme të përditshme pune deri në shtatëmbëdhjetë orë, duke shkruar gjithmonë në shoqërinë e mikut të pandarë: kafesë.

Filloi të ftohej në eventet e shoqërisë së lartë pariziane, ku u shfaq me veshje ekscentrike. Autori u frymëzua nga disa nga pjesëmarrësit e këtyre gostive, për të krijuar shumë prej personazheve të veprave të tij. Metoda e veçantë e punës së tij konsistonte në skicimin e një drafti të temës që do të trajtonte romani, së cilës, gradualisht, ai i shtonte ide të reja. Ndonjëherë kishte aq shumë, sa historia pësonte ndryshime të vazhdueshme, gjë që i çmendte tipografët. Balzaku ishte kaq perfeksionist dhe i përpiktë në gjithçka që lidhej me veprën, saqë shpesh paraqiste shumë variacione me tekstin fillestar, madje ndonjëherë rezultonte në thuajse botim të ri. Ishte i pakrahasueshëm në rrjedhshmërinë gjuhësore, çka e dëshmojnë më së miri dialogët e tij. Stili thumbues i mbajti historitë më të zymta, që të mos shndërroheshin në pesimizmin më të errët falë një ngjyre humori. I konsideruar si krijuesi i realizmit letrar, Balzakut i njihet edhe krijimi i romanit, ku ngjarjet shihen nga një vëzhgues i gjithëdijshëm. Balzaku ishte vëzhgues i shkëlqyer, kishte një kujtesë fotografike, si dhe një ndjeshmëri që e shtynte të kuptonte qëndrimet, ndjenjat dhe motivimet që i preknin njerëzit. Ambicia e tij ishte të portretizonte njerëz, pavarësisht nga statusi shoqëror apo profesioni. Vepra e tij përfundoi duke lënë gjurmë të pashlyeshme, deri në atë pikë sa në funeralin e tij, Viktor Hygo citoi: “Tash e tutje sytë e njerëzve nuk do të shikojnë kokat mbretërore, por mendimtarët”.