Njihet me emrin “The Last Bookstore” (“Biblioteka e fundit”) dhe nuk është vetëm biblioteka më e madhe në Kaliforni, por është një parajsë e vërtetë historish, kulture dhe njohurish, ku mund të humbisni dhe të kridheni plotësisht. Të shumta janë mrekullitë e botës ku ne banojmë, të njëjtat që na shtyjnë të udhëtojmë rreth globit dhe ta eksplorojmë atë gjerë e gjatë. Disa prej tyre mbajnë nënshkrimin e Nënës Natyrë, ndërsa të tjerat janë ndërtuar nga njeriu dhe, me kalimin e kohës, janë shndërruar në simbole qytetesh dhe vendesh të tëra. Megjithatë, është pikërisht nën hijen e monumenteve ikona dhe vendeve më të famshme të destinacioneve që vizitojmë, që fshihen thesare të çmuara që të gjithë duhet t’i njohim. Komplekse mrekullish që na ofrojnë hyrje të privilegjuara në histori, kulturë dhe njohuri.

Po flasim për bibliotekat, ato vende që kundërmojnë aromë letre dhe boje, tipografie dhe bukurie. Ato janë të mëdha dhe madhështore, janë të vogla dhe të fshehura, disa janë shumë të famshme, të tjera më pak të njohura, por jo më pak të jashtëzakonshme. Një prej tyre është “Biblioteka e fundit”, një nga bibliotekat më të mëdha në botë, një labirint tekstesh, ku mund të përhumbeni e të kridheni në një përvojë të pazakontë. Kjo bibliotekë ndodhet në Kaliforni, 900 milje peizazh që të lë pa frymë, i karakterizuar nga formacione shkëmbore, plazhe rrethuar nga uji i Paqësorit, pyje me drurë sekuoje dhe male hijerëndë: kjo është Kalifornia.

Një vend magjik dhe i jashtëzakonshëm që pret disa nga atraksionet më të bukura në të gjithë botën. Nuk është vetëm madhësia që e bën të veçantë, as dizajni shumë i kërkuar, por është pikërisht labirinti i teksteve vendosur në katin e dytë, që është një ftesë për t’u përhumbur dhe për t’u zhytur në njohuritë e njerëzimit. Në pritje të udhëtarëve, qytetarëve dhe adhuruesve të leximit, atje gjenden me mijëra libra dhe regjistrime të vendosura në një sipërfaqe prej mbi 20 mijë metrash katrorë të krijuar në dhomat e një banke të vjetër të viteve 1970. Këta veprime e bëjnë “Bibliotekën e fundit” bibliotekën më të madhe të librave të rinj dhe të përdorur në të gjithë Kaliforninë. Biblioteka shtrihet në dy kate: pjesa e poshtme, shumë e ndriçuar, është e rezervuar për libra që mund të blihen, të cilët gjithashtu mund të shfletohen dhe lexohen në një nga kolltukët prej lëkure të vendosura në mes të një hapësire sugjestive. Megjithatë, në pjesën e sipërme, ju mirëpret një përvojë vërtet e pabesueshme. Këtu gjarpëron një labirint i vërtetë, i kompletuar me zbrazëtira, tunele dhe rafte të bërë tërësisht me libra. Qëndroni këtu sa të dëshironi, që të njiheni, të lexoni dhe të admironi historitë, kulturën dhe njohuritë e mbarë njerëzimit.