Vështrova më me vëmendje ata sy të bukur dhe u përpoqa të përfytyroja se si Hedviga do të kishte folur me mua, sikur të kisha ardhur para shtatë vjetësh dhe ta kisha pyetur për bukë. I pashë ata sy të bëheshin më të ngushtë, të fortë dhe të thatë… Është një histori buke dhe një histori dashurie. Uria për bukë dhe uria për dashurinë për Fridrihun, një djalosh gjerman mjaft i ri, tek i cili lufta dhe paslufta zhvilluan një obsesion pas bukës. Në një qytet të madh, një djalosh pasanik ka harruar vitet e vështira, por ardhja e një shoku fëmijërie e bën të kujtojë banalitetin e jetës që bën.

Ai do ta ndajë me të lirinë e rifituar. Hajnrih Bël mbetet një nga eksponentët më të rëndësishëm të letërsisë gjermane. Në veprat e tij, ai rrëfen rimëkëmbjen e vështirë të Gjermanisë së Hitlerit pas luftës përmes këndvështrimeve të njerëzve të përulur dhe të thjeshtë, që merren me jetën e përditshme në një afresk shumëngjyrësh historish dhe zërash. Shkrimet e tij ishin të pajisura me prozë poetike të pashpjegueshme, por gjithashtu përmbanin aktakuza solemne të autoritetit të politikës, ekonomisë dhe kishës. Heronjtë nuk janë personazhe të jashtëzakonshëm, por qenie të përditshme, pre e së tashmes, e së shkuarës, duke luftuar në një parehati që prek identitetin e tyre, aftësinë e tyre për të projektuar veten në botën që i rrethon ose për të gjeneruar sërish ëndrra. S’ka rëndësi se në ç’vend, në Lindje apo Perëndim, mund të identifikohesh lehtësisht me personazhet e tij. Kjo ndjesi e të pazakonshmes në lidhje me ekzistencën, i ka dhënë një kuptim universal. Dëshmitar i rrënojave, i barbarisë, depozitues i kujtesës kolektive, duke besuar më shumë te morali, se sa te politika, në gjithë krijimtarinë e tij diti të cekë një krizë të caktuar që prek çdo individ. Ka një sens të kujdesshëm detajesh, një realizëm poetik, një humor therës shpeshherë të admirueshëm. Hajnrih Bël ishte i aftë për parime morale pa qenë moralizues. Zëri i tij vijon të sfidojë: “Gjëja më e vështirë për një gjerman është të pranojë veten si të tillë”, – pohon. Të shumtë janë ata që do të shohin në besnikërinë e tij ndaj një koncepti të caktuar të moralit individual ose qytetar, veçse një naivitet të madh.

Nuk doja më të ecja përpara, por të kthehesha. Drejt çfarë? Nuk e dija. Thjesht më duhej të kthehesha…

Për më tepër rreth këtij libri mund të klikoni këtu
Pranë nesh ju do të gjeni 2 versione të librit; fizik dhe digjital