Kështu ndodhi. E njohu melodinë e famshme që në akordet e para. Vepra muzikore në fjalë ishte unikale për nga thellësia dhe e jashtëzakonshme për nga madhështia. Sakaq ndjeu përbrenda dyzimin: ndjeu si i kaloi anash dashuria e madhe, e tillë që përsëritet vetëm një herë në njëmijë vjet, iu kujtuan fjalët që i tha gjenerali Anosov dhe, në të njëjtën kohë, i bëri vetes pyetjen se cila ishte arsyeja që ky njeri e kishte lutur që të dëgjonte pikërisht këtë vepër muzikore, qoftë edhe kundër dëshirës së saj.

Aleksandër Ivanoviç Kuprin, shkrimtari rus i fillimshekullit të 20-të, i njohur për prozën dhe stilin e tij të veçantë, i këndon dashurisë, dashurisë së shenjtë, të sinqertë e të vërtetë, ndjenjës së bukur që nuk kërkon asgjë si këmbim. Jo gjithkush mund t’i përjetojë të atilla ndjenja, vetëm disa syresh janë të aftë t’i dallojnë, t’i pranojnë dhe t’i braktisin në humnerën e ngjarjeve të jetës. “Byzylyku bojëshege” është një himn i dashurisë së pavdekshme, edhe nëse vdes njëri partner. Novelën e përshkon tema e dashurisë së pakthyer, për më tepër Zhelltkov është shembulli i përsosur i ndjenjave vetëmohuese, të sinqerta dhe flijuese që ka ndaj Verës, të cilat nuk i tradhton edhe kur jeta i varet në fill të besnikërisë. Poetika e hollë e librit, një histori interesante e trishtimit lirik që mbush faqet e kësaj novele do të mbahet mend për një kohë të gjatë – kjo është fuqia e fjalës së vërtetë, të gjallë dhe të thellë.