Në dashuri gjithçka është mister

Shenjat, bukuritë, pishtari, madje lindja e saj.

Nuk është puna e një dite

Nëse do ta zhbirosh këtë shkencë.

Pra, nuk kam aspak ndërmend t’ua shpjegoj gjithçka këtu.

Qëllimi im i vetëm është t’u rrëfej, sipas mënyrës sime,

Se si i verbëri, një hyjni qiellor,

Humbi dritën e syve.

Ç’rrjedhë  e pasoi këtë fatkeqësi, ndoshta mund të qe edhe një e mirë;

Unë s’mund të gjykoj një të dashur, po aq të caktoj ndonjë.

Një ditë Marrëzia dhe Dashuria po luanin tok.

Kjo e fundit ende nuk ishte privuar nga drita e syve.

Ja tek mbërrin zënka: Dashuria donte të mblidhnin

Këshillin e Perëndive.

Marrëzia nuk duroi dot

dhe i dha një grusht aq të furishëm,

saqë i iku drita e syve.

Venusi kërkoi shpagim

si grua e mëmë, mjaftoi të gjykonte klithmat e tyre.

Perënditë u hutuan,

Jupiteri, Nemesisi,

madje edhe gjykatësit e Ferrit, pra gjithë kuvendi.

Ajo u paraqiti se ç’kishte ngjarë:

“Fëmija e saj, pa shkop në dorë nuk mund të hidhte asnjë çap përpara”

Nuk kishte dënim që ta shlyente këtë krim të rëndë.

Dëmi duhej riparuar në të njëjtën mënyrë.”

Si e shqyrtuan mirë e mirë

Interesi i shumicës, ai i palës kundërshtare,

së fundmi vendimi i Gjykatës së Lartë

e dënoi Marrëzinë

duke i shërbyer si udhërrëfyese Dashurisë.

Shekspiri në një nga sonetet e veta deklaron, se asnjë monument mermeri nuk do të mund të jetojë përtej “kësaj rime të fuqishme”, përtej këtyre vargjeve të fuqishme. Poezia ndoshta i përgjigjet nevojës për të besuar në diçka tjetër, jo atë që dëgjojmë apo shohim. Poeti zotëron artin mahnitës të të zhytë në një ëndërr të ëmbël fëmijërore. Poezia është një mënyrë kaq e bukur për të deklaruar dashurinë për personin që duam, u bën homazh njerëzve tanë të dashur etj. Poezia është sa e bukur, aq edhe rebele. Ajo thyen çfarëdolloj barriere, kalon gjithfarëlloj caku, por përherë me hijeshi.