Një dashuri që shumë shpejt shndërrohet në një martesë artistike. Për piktorin, Bela ishte bashkëshorte, muzë dhe mike. Mark Shagall u takua me Bela Rosenfeld në vitin 1909. Qe dashuri me shikim të parë. Nuk besoj të ketë pasur ndonjëherë ndonjë piktor apo artist, që t’ia ketë kushtuar kaq shumë talentin dhe krijimtarinë e tij lavdërimit të gruas, sa Mark Shagall (1887-1985).

Dashuria dhe arti

“Për vite dashuria e saj ka ndikuar në pikturën time… Bela shkroi si jetoi, si dashuroi, si i mirëpriste miqtë. Fjalët e saj, fjalitë e saj, janë një prarim ngjyrash në kanavacë… Gjërat e zakonshme, njerëzit, peizazhet, festat hebraike, lulet – kjo ishte bota e saj, këto ishin subjektet e saj… Pastaj befas, gjëmim bubullime, në orën gjashtë të mbrëmjes së 2 shtatorit 1944 retë u davaritën, në çastin kur Bela u largua nga kjo botë. Gjithçka e ka mbuluar terri”, – kujton Shagalli. Bela, muza e adhurueshme, vdes, duke e lënë Markun në dëshpërimin më të zymtë. Bota e ëndrrave të Mark Shagallit ushqehej nga tregimet popullore jezuite dhe ruse, nga Bibla, besëtytnitë popullore, nga çudibërësit dhe zakonet e banorëve të qyteteve ruse. Shpesh shprehej: “Bota jonë e brendshme është një realitet, ajo ndoshta është më reale se bota që ne shohim”.

“Heshtja e saj është e imja. Sytë e saj, të mitë. Ishte sikur kishte një jetë që më njihte, sikur dinte gjithçka për fëmijërinë, për të tashmen, për të ardhmen time; sikur më kishte vëzhguar, sikur më kishte pasur pranë, edhe pse e shihja për herë të parë. Ndjeva se ajo ishte gruaja ime. Fytyra e zbehtë, sytë e saj. Sa të mëdhenj, të rrumbullakët dhe të zinj janë! Ata janë sytë e mi, shpirti im. Tea më dukej e parëndësishme, e huaj. Kam hyrë në një shtëpi të re dhe jemi të pandashëm”. Këtij kujtimi të shkruar në 1922, Shagall do t’i qëndronte besnik deri në vdekjen e Belës, në kohën kur ndodheshin në Shtetet e Bashkuara. Ai do t’i qëndrojë besnik edhe pas vdekjes, duke ruajtur një lidhje të përjetshmne me të, të rigjallëruar në vijimësi në tablotë e veta. Bela do të mbetej modeli dhe muza e përhershme e piktorit, e ikonizuar në njëfarë mënyre si gruaja e përjetshme që fluturon mbi qiell me kompozimet e tij imagjinare. Në të gjallë dhe përtej vdekjes, Bela nuk është vetëm gruaja thuajse biblike, por edhe muza absolute. Shumica e pikturave të tij zbulojnë praninë e saj: një nuse e përjetshme, e veshur me të bardhë, hera-herës në blu, ngjyra e parapëlqyer e Shagallit, që pluskon në ajër, siç bën një Magrit, por pa sofistikimin surreal. Ashtu si Virgjëresha Mari, që hap mantelin për të mbrojtur njerëzimin që ka ardhur të strehohet në palat e saj, Bela fluturon mbi universin e piktorit, ajo mbulon me dallgë qiellore e të shndritshme, por mbi të gjitha mirëdashëse, qytetin e rinisë së tyre i shndërruar në qytet legjendash. Asnjë muzë tjetër nuk mundi ta fshijë kujtimin e Belas, kujtim që Shagall voijoi ta vizatonte, pikturonte dhe përjetësonte në tablotë e tij deri në detaje, si gjurmë e pamohueshme e një dashurie, duke i shpëtuar çdo arsyeje dhe çdo syçeltësie.