Heshti përsëri, tashti ishte pikërisht pranë parmakut të kopshtit, përballë liqenit të përmbytur nga drita e yjeve. Liqeni vezullonte vagullt, ndërsa në largësi nxinin format e maleve. Deizi Miler ia mbërtheu shikimin pamjes misterioze dhe pastaj ia dha një tjetër të qeshure të lehtë.

Henri Xhejms, një nga pararendësit e romanit psikologjik, lindi në Nju Jork më 15 prill 1843. Konsiderohej një nga shkrimtarët më të mirë të tregimeve të shkurtra të brezit të tij. Përveçse autor i mirënjohur, Xhejmsi ishte një udhëtar i shkëlqyeshëm: ai ishte një burrë kozmopolit, duke jetuar për periudha të gjata në Itali dhe Francë, për t’u kthyer në shtëpi gjithnjë e më rrallë, derisa zgjodhi të vendosej në Londër, qytetin që ai e konsideronte “kryeqyteti i modernes”. Xhejms ishte hetues i psikikës njerëzore, një nga shkrimtarët e parë që përdori letërsinë për këtë qëllim, duke eksploruar abisin e mendjeve të personazheve, shpesh kontradiktorë dhe të shqetësuar. Mirëpo, rrëfimi nuk synon të eksplorojë vetëm brendësinë, në librat e tij gjejmë një analizë të thellë sociale, të pandashme nga konteksti historiko-social-politik në të cilin ai jetoi. Me Henri Xhejms romani bëhet një mjet i dobishëm për të vëzhguar realitetin në të gjitha nuancat: thelbin e rrëfimit. Ishte i pari, që kuptoi se nuk ishte e mundur të reduktohej realiteti vetëm në anën “eksperimentale”. Shpesh historitë e Xhejmsit bazohen në një konflikt pak a shumë të fshehtë: atë midis artistit dhe shoqërisë, midis njohurive dhe vetërealizimit personal, midis botës së vjetër (Evropës) dhe botës së re (Amerikë), por e gjithë kjo nuk tregohet më nga këndvështrimi – tipik i shekullit të nëntëmbëdhjetë – i narratorit të gjithëdijshëm, por përmes vizionit – më të ngushtë, por më efektiv – të personazhit të vetëm. Deizi është një vajzë e re amerikane, që shkon në Evropë me nënën e saj për turneun e saj të madh, siç ishte zakon në atë kohë. E pafajshme dhe e pastër, Dejzi vepron në mënyrë spontane, pa u kujdesur për zakonet shoqërore apo shpifjet, ajo mahnitet me gjithçka dhe admiron gjithçka, pa e ditur se do të jetë pafajësia e saj dhe sjellja e saj e lehtë dhe joformale ato që e tradhtojnë. Pa e ditur, Xhejms krijoi heroinën e parë moderne, pasi dëshira pulsuese për emancipim dhe afirmim të gruas u pasqyrua në kompleksitetin dhe paqartësinë e karakterit të Deizit – vetëm në dukje e brishtë, si margarita, emrin e së cilës ajo mban.

Për më tepër lexoni librin e plotë digjital duke e blerë këtu