“Engjëjt e Rafaelit” – një kombinim që të sjell sakaq në mendje një imazh preciz. Me penelata qiellore, gjeniu krijon atë që shndërrohet në ikonë të vërtetë popullore. Engjëjt janë veçse një pjesë e vogël e një vepre më komplekse. Madje, nuk janë as protagonistët e së njëjtës, megjithatë, me kalimin e kohës, ata janë shndërruar në ikonë popullore. Në ditët e sotme mund t’i shohim të riprodhuara në çdo lloj mbështetjeje, nga kopertinat e fletoreve të shkollës deri te çakmakët. Ndoshta shprehja e tyre komike, në një kontekst të shenjtë, po edhe ëmbëlsia e qëndrimit, fizionomia dhe gjestet kanë kontribuar që ato të jenë të pashlyeshme në imagjinatën kolektive. Kuriozitetet për engjëjt e famshëm janë vërtet të shumta. Kemi të bëjmë me një kryevepër të Rilindjes italiane e porositur nga Xhulio II, për nder të Sikstus IV, xhaxhait të tij. Kanavaca u pikturua nga Rafaeli midis 1512 dhe 1514 dhe përfaqëson Virgjëreshën Mari me foshnjën Jezus, që qëndron midis Papa Sistos dhe Shën Barbara. Po çfarë e bën këtë vepër kaq të paharrueshme? Sigurisht, engjëjt e vegjël të Rafaelit. Këta dy kerubinë të adhurueshëm me krahë, me shprehjet e tyre zbavitëse, tërheqin vëmendjen nga pjesa e poshtme e pikturës: duket sikur dalin nga korniza, thuajse duke “çmitizuar” tonin solemn të veprës. Si çdo mit që respekton veten, edhe ky është i mbuluar me mister. Janë ngritur hipoteza të shumta: ka nga ata që argumentojnë se shprehja e kerubinëve është parë nga vetë Rafaeli. Thuhet se kishte parë fytyrat e dy fëmijëve, që kundronin me lakmi banakun e një bukëpjekësi. Mjeshtrit i bëri kaq përshtypje, sa deshi ta riprodhonte menjëherë.

Të tjerë argumentojnë, se ata janë fëmijët e një modeli që pozon për artistin, ndërsa ai krijon veprën e Virgjëreshës së Bekuar. Fëmijët hynë fshehurazi në dhomën ku po pikturonte Rafaeli, ekspresiviteti kureshtar dhe pyetës i të cilëve i bëri shumë përshtypje piktorit. Kështu, ai vendosi t’i portretizojë në pikturë, njëlloj sikur të ishin engjëj. Sido që të jetë, ndër të paktat gjëra që duken të sigurta në këtë histori, është fakti që mjeshtri vendos t’i shtojë engjëjt e vegjël brenda telajos më vonë. Engjëjt janë bërë të famshëm për vetë faktin, se janë figura të perceptuara jashtë skemës kompozicionale dhe gjithashtu nga ikonografia klasike e engjëjve tipikë të periudhës. Dy kerubinët qëndrojnë të shkujdesur, të zhytur në mendime, madje të intriguar, ose të mërzitur, por njëherazi të ngazëllyer. Të kuptuarit e asaj që ata po mendojnë, në thelb, e bën edhe shikuesin bashkëpunëtor. Një enigmë, kjo e fundit, e ngjashme me atë të një tjetër buzëqeshjeje të famshme, e aftë për të intriguar breza të tërë. Momenti kur engjëjt e Rafaelit u bënë ikonë në kulturën popullore, është kur Andi Uarhull vendosi t’i riprodhojë. Në fakt, kerubinët e Rafaelit filluan të shtypeshin kudo: nga bluzat tek posterat, nga çadrat e deri te çdo lloj produkti tregtar.