“Jeta ime”

Indiferenca është një paralizë e shpirtit, një vdekje e parakohshme.

“Duhet vënë vetja në rrethana të atilla që puna të të bëhet e domosdoshme. Pa punë nuk  mund të ketë jetë të pastër e të gëzuar”.

Çehovi mendimin e njohur, se e bukura nuk duhet kërkuar jashtë jetës së gjallë, e lidhte me idenë se jeta nuk do të ishte e bukur e nuk do të kish kuptim pa punë. Njeriu që s’punon, s’ka si të bëjë një jetë të ndershme, të pastër, të vërtetë. Puna është burim i madh jete e gëzimi. Njeriu nga natyra është i dhënë pas punës. Po Çehovi, në kohën e tij, e shtronte problemin të lidhur ngushtë me gjendjen e shoqërisë ruse dhe përgjithësisht të shoqërisë ku ekziston shfrytëzimi i njerëzve të punës. Populli punon, rropatet natë e ditë, por, pohon shkrimtari, nuk i gëzon frutet e punës së tij, ai s’është i lumtur.

Që puna të mos e skllavërojë njeriun, ajo duhet të jetë e lirë dhe me punë duhet të merren të gjithë. Mirëpo, Çehovi i sillte letërsisë ruse një ide të rëndësishme, kur temën e punës e lidhte me fatin e popullit dhe jepte të kuptohej, se, pa u çliruar populli nga shtypja e padrejtë, pa u vendosur barazia shoqërore, nuk mund të ketë punë të lirë dhe se pa punë të lirë, s’ka lumturi të vërtetë. Këto ide janë zbërthyer në tërë subjektin e novelës “Jeta ime”. Heroi i veprës, Misaill Polloznovi, një intelektual i ri i kohës, bir i një inxhinieri, nga një derë e vjetër fisnike, i velur nga jeta boshe e parazitare e ambientit që e rrethon, i mërzitur dhe i deziluzionuar keq, vendos të shkëputet prej këtij rrethi, braktis punën e zyrës e familjes dhe bëhet punëtor. Ai fillon jetën e vështirë të punëtorit, duke u nisur nga qëllimi që të kontribuojë dhe ai me diçka në jetë. Po kjo s’është gjë e lehtë për të. Ai kalon nëpër një rrugë të vështirë, plot peripeci e pengesa. Drama e tij shoqërohet me vuajtje e shqetësime të panumërta. Ai përbuzet e tallet nga rrethi që e ka braktisur, po nga ana tjetër i bën ballë me zor jetës së rëndë të punëtorit. Si punëtor, Polloznovi provon në kurriz punën e rëndë të njeriut të thjeshtë, sheh vuajtjet e padrejtësitë që u bëhen njerëzve të thjeshtë, dallon qartë humnerën e madhe që ndan të pasurit nga të varfrit. Ai konstaton, se për popullin të pasurit janë njerëz krejt të huaj dhe në mes tyre ekziston një armiqësi e përjetshme. Edhe dashuria e bukur e Misaillit me Mashën vdes para kohe. Kjo ndodh se errësira që i rrethon, vuajtjet e panumërta të njerëzve, humnera që hapet në mes të të pasurve e të varfërve s’ka si të mos ndikojë dhe në fatin e dashurisë së tyre. Masha, duke shkuar në fshat me Misaillin, nuk e duron dot jetën e ashpër e të mjerë që bëhet rreth saj dhe, duke mos qenë e përgatitur, vjen një ditë që dorëzohet dhe e braktis përgjithmonë dashurinë. Duke e këputur në mes dashurinë e Mashës me Misaillin, autori lë të kuptohet, se këtë dashuri nuk e prishi aq karakteri i dobët i Mashës, sesa jeta e rëndë ruse. S’ka si të jetojë gjatë lumturia personale, pa lumturinë e përgjithshme shoqërore. Në fund, duket qartë se Misailli dështon në përpjekjet e tij, si në planin shoqëror, ashtu dhe në atë personal.

…Pozita ime e re i ngjallte atij një ndjenjë të përzier habie, zilie dhe shprese të turbullt, se edhe atij mund t’i ngjasë dikur. Ai shoqëronte Mashën me sy lakmitarë, e pyeste se ç’haja unë për drekë dhe në fytyrën e tij të hequr e të shëmtuar, shfaqej një shprehje pikëllimi e ëmbëlsie dhe ai lëvizte gishtërinjtë, sikur të prekte lumturinë time…

Për më tepër ju ftojmë të lexoni librin e plotë