Një libër duhet të jetë shpata për detin e ngrirë brenda nesh.

Rinia është e lumtur, sepse ka aftësinë të dallojë bukurinë. Kushdo që ka aftësinë të shohë të bukurën, nuk plaket kurrë.

Përse Kafka, dhe përsëri dhe gjithmonë? Objektiviteti i tij kokëfortë ka nxitur filozofinë më radikale dhe mbi të gjitha antropologjitë, sociologjitë dhe banalizimet: “Është një situatë kafkiane”, – kanë thënë ose kanë menduar shumë, madje vazhdojnë të thonë e të mendojnë, kur përballen me diçka të pakuptueshme, të çuditshme apo që shkakton ankth.

Duke dashur të njohim në habinë e Kafkës habinë tonë, përballë misterit të jetës, absurditetit të shoqërive, vërejmë se të shkruarit e Kafkës është jashtëzakonisht vizual, objektiv, sigurisht i ndikuar nga tradita hebraike dhe filozofia gjermane. Kafka ishte brenda kohës së tij, por shikonte përtej, një para dhe një pas – dhe një gjithmonë – të gjendjes njerëzore përtej historisë. Edhe nëse njeriu është i zhytur në histori, ai kushtëzohet nga historia. Habia, thuhet, përballë absurditetit të rregullave të çdo shoqërie, por edhe shtangia përballë misterit të ekzistencës, duke mos besuar në asnjë zot. Habia magjepset edhe nga dritat e botës, por më së shumti shqetësohet prej tyre, si në Amerikë, “I humburi”, një histori vetmie, jo vetëm e emigrantit të ri. Habia, që na sheh si kafshë të frikësuara për t’u rikthyer, pavarësisht “qytetërimit” (“Metamorfoza”). Habia e të qenit i hetuar dhe i dënuar, duke u ndjerë shumë më tepër i pafajshëm sesa fajtor (“Procesi”). Habia për të parë veten të përjashtuar nga kontakti me një autoritet të paarritshëm dhe të pakuptueshëm, një zot apo një hyjni, duke pritur përjetësisht të hyjë në një botë ndoshta më të vërtetë, ndoshta më të qartë (“Kështjella”). Arsyeja për çdo gjë, përse dhe përse, janë të pakuptueshme. Jeta na është dhënë, porse nuk e dimë qëllimin e saj dhe nuk do të zbulojmë rregullat e saj më të thella, ndërsa ato që na imponohen duken të padepërtueshme ose të padrejta. As më shumë e as më pak se gjendja njerëzore.

Të shkruarit është vetmi e plotë, zbritje në humnerën e ftohtë të vetvetes.

Lëreni të ardhmen të flejë siç e meriton. Nëse e zgjoni para kohe, do merrni një dhuratë të përgjumur. Ai që s’di të gënjejë, mendon se të gjithë thonë të vërtetën.