Sipas historisë biblike, pikërisht në Babel (identifikuar me Babiloninë në Mesopotami) njerëzit filluan të kishin keqkuptime me njëri-tjetrin. Në të vërtetë, asokohe nuk ishte faji i njerëzve, por i vullnetit hyjnor.

“Gjithë universi kishte një gjuhë të vetme dhe të njëjtat fjalë. (…) Pastaj (njerëzit) thanë: “Ejani, të ndërtojmë një qytet dhe një kullë, maja e së cilës të prekë qiellin dhe të bëjmë emër, që të mos shpërndahemi në të gjithë tokën”. Por Zoti zbriti për të parë qytetin dhe kullën që njerëzit po ndërtonin. Atëherë, Zoti tha: “Ja, ata janë një popull i vetëm dhe të gjithë kanë një gjuhë të vetme; ky është fillimi i punës së tyre dhe tani ajo që planifikojnë të bëjnë nuk do të jetë e pamundur për ta. Le të zbresim, pra, të ngatërrojmë gjuhën e tyre, që të mos kuptojnë më gjuhën e njëri-tjetrit”.

Kështu, njerëzit e ndërprenë ndërtimin e madh dhe u shpërndanë në të gjithë Tokën, sipas vullnetit të Zotit. Kullën e Babelit e përmend jo vetëm Bibla, por edhe një poema e lashtë sumeriane, më vonë Herodoti dhe mandej shkrimtarët e kohës romake.

Ndërtesa legjendare, e cila për hebrenjtë ishte simboli i arrogancës së njerëzimit, ndoshta nuk ishte thjesht një legjendë.

Me siguri, historia biblike qe frymëzuar nga zigurati më i madh dhe më i rëndësishëm i Babilonisë, Etemenanki, një ndërtim masiv vepër e babilonasve pikërisht për t’u ngjitur në qiell. Nga poshtë, Etemenanki mund të dukej si një shkallë, që, duke u ngjitur nëpër re, të çonte në parajsë, ose të paktën 91 metra në lartësi. Për t’u afruar me perënditë, ky ishte qëllimi i ndërtesës: babilonasit e ndërtuan në një pikë që e pandehën si qendrën e saktë të universit, njësoj ku perëndia Marduk kishte krijuar botën. Vetëm prej andej qielli dhe toka mund të komunikonin, por si? Ndërtimi i një shkalle mjaft të lartë: mundësia e komunikimit me hyjninë, ose ndoshta aspirata drejt pafundësisë, është padyshim një nevojë që është ndjerë që nga kohërat e lashta. Sipas të dhënave, ziguratin e madh në mijëvjeçarin e dytë para Krishtit e filloi sundimtari Hamurabi. Më pas, piramida e madhe e shkallëve u shkatërrua dhe u rindërtua disa herë. Kati i fundit i Etemenankit ishte i ndarë në dhoma gjumi luksoze të destinuara për perënditë, e emëruar secila sipas hyjnisë për të cilën ishte menduar, të gjitha të mobiluara për bukuri me divane të rehatshme dhe shtretër luksozë. Njëra ishte për Mardukun dhe të shoqen, Sarpanitum, një për Nabunë dhe të shoqen, Tashmetunë, e me radhë për hyjnitë e ujit, dritës dhe qiellit, dhoma që nuk u përdorën kurrë nga njerëzit, sepse ishin të destinuara për perënditë, të cilët i përdornin për pushimet e tyre, të paktën sipas priftërinjve babilonas. Në pjesën më të lartë ishte një tempull, me një dhomë qendrore të destinuar për dasma të shenjta: brenda vetëm një divan dhe një tavolinë të praruar. Atje mund të hynte vetëm një grua, e zgjedhur nga vetë Marduk, për të përfunduar martesën. Ishin priftërinjtë ata që informonin një nga gratë babilonase për vëmendjen që kishte marrë nga perëndia. E përzgjedhura ngjitej në tempull, afër qiellit, dhe priste Mardukun. Askush nuk mund të thotë, se çfarë ndodhte atje lart, në re, por e zgjedhura ishte e sigurt, pas rikthimit në tokë, se kishte bërë dashuri me perëndinë. Ndërtimi i Etemenankit ishte një vepër e madhe, e përsëritur shumë herë, sepse vazhdimisht shkatërrohej.

Edhe Aleksandri i Madh, i mahnitur nga bukuria e Babilonisë, e rrafshoi ziguratin, i cili tashmë duhet të ishte rrënuar, me premtimin se do ta rindërtonte. Nuk ia doli me kohë, sepse vdiq në Babiloni, në moshën 33-vjeçare. Kështu, për dy mijëvjeçarë, eshtrat e ziguratit mbetën të varrosura, ndërsa Kulla e Babelit tashmë ishte vetëm një legjendë për zemërimin e Zotit dhe arrogancën e njerëzve. Më pas, arkeologët gjetën bazën e Kullës, një katror 91×91 metra, të vendosur në qendër të një sipërfaqeje prej 500 metrash, pikërisht siç e përshkruan të lashtët.