Lord Bajroni krijon sakaq imazhin e një deti të stuhishëm. Mund të jetë vetëm ai, poeti simbol i romantizmit anglez, udhëtari i detit të tallaztë, siç e përshkruan Uilljam Tërner. Njeriu i vetëm përballë një pafundësie të paqartë, duke u shfaqur si kapiten në bordin e anijes së shpirtit të tij. Tallazet dhe dallgët, valët e zhurmshme, erërat e stuhishme ngjallin një ekzistencë të çrregullt teprimesh dhe skandalesh, si të tijat. Bajroni mbërriti në Ravena më 9 qershor 1819, ku qëndroi deri në vitin 1821, kohë kur iu desh të arratisej sepse u denoncua se i përkiste lëvizjes “Carboneria”. Bajroni mbërriti në Ravena nga Venecia, ku theu shumë zemra, siç ishte bërë e zakonshme. Në lagunë, ku gjeti strehë larg armiqësisë angleze për shkak të shfrenimeve të tij, e priti fati me tiparet e Tereza Gambas. Poeti e takon në sallonin e konteshës Benzoni, një tetëmbëdhjetëvjeçare bukuroshe, bashkëshortja e kontit Alesandro Guiçioli, nga Ravenna. Një dashuri pasionante dhe e pamundur lulëzon mes tyre dhe, për këtë arsye, konsiderohet si simbol i romantizmit absolut. Kur ajo largohet nga Venecia dhe kthehet në shtëpi, ai i shkon pas.Ravena është vendi i qetësisë, i dashurisë së kthyer, i frymëzimit poetik. Ato janë vite të lumtura dhe të frytshme në një jetë plot ngjarje dhe Bajroni kompozoi veprat si “Kaini” , “Marin Faliero” etj. Tereza – me fjalët e vetë poetit ishte “e bukur si lindja e diellit, e ngrohtë si mesdita”.

…Në vetminë e pyllit me pisha… në brigjet e heshtura të rrethuara nga pylli i lashtë i Ravenës që mbulon atë tokë ku dikur gjëmonin dallgët e Adriatikut, deri në vendet ku qëndronte kalaja e fundit e Cezarëve; pyll gjithnjë i gjelbër që m’i më bën të shenjta faqet e Bokaçios dhe këngët e Drydenit, oh! Sa e doja orën e muzgut dhe ty!

Bajroni ishte mbi të gjitha një poet, një poet i madh. Ai zotëronte materialin poetik, ishte i aftë t’i jepte formë si të donte. Ai shkruante dhe rishkruante, duke ruajtur një ritëm të pandalshëm pune: dinte të kalonte nga tragjedia në satirë me një aftësi unike, duke ndryshuar tonin, zhanrin, gjuhën. Me pasurinë e poemës “Pelegrinazhi i Çajld Haroldit”, ai do të bëhej më romantiku i romantikëve.