Një fllad i ngrohtë e përshkoi Esherstin nga koka te këmbët. Kjo vajzë kaq e thjeshtë, e hijshme dhe e bukur, ndofta i pëlqente ta preknin buzët e tij. I rrëmbyer nga ndjenja për të, i hodhi krahët, e tërhoqi drejt vetes dhe e puthi në ballë….

Novela “Lulet e mollës” mbetet një nga novelat më të bukura të nobelistit, i cili u rikthehet bukurive të natyrës, porse këtë herë duke e gërshetuar me historinë e dashurisë së re, e cila tregohet në një rikthim, teksa një burrë habitet kur vendi ku do festonte përvjetorin e martesës, i sjell ndërmend dashurinë e parë… Gollsuorth i shtjellon gjerë e gjatë mendimet, emocionet dhe dyzimet e tij, duke pyetur dhe qortuar veten përpara se të veprojë. Fundi tragjik i Migenit është realiteti i kohës, kur Gollsuorthi shkroi veprën. Vdekja e saj është një tregim për dashuritë e pamundura, për dy kulturat e ndryshme që s’mund të jenë asnjëherë bashkë. Romanet e Gollsuorthit, nga përkora e psikologjisë së komplikuar dhe pikëpamja e tyre shumë e thjeshtuar sociale, u pranuan si modele besnike të jetës angleze.

Iu zgjua një ndjenjë e harruar prej vitesh të tëra, një ndjenjë që i fliste për një harmoni të ëmbël e të ashpër njëkohësisht, për atë harmoni që iu ndërpre aq papritur. Me kokën midis duarve, i  shtrirë barkas mbi bar, zuri të vështronte kërcejtë nga të cilët po rriteshin lulet e lirit.

Për më tepër lexoni librin e plotë duke e blerë këtu