E pavarur, e shpenguar, instinktive, por asnjëherë perverse apo vulgare, Manon mishëron hijshëm stereotipin e femrës së paarritshme, ndërsa Des Grieux i butë dhe i pambrojtur, i vënë nën kontroll nga fuqia absolute e parasë dhe torturat e xhelozisë, është heroi i vërtetë tragjik i historisë. Pasioni dhe virtyti, dëshira dhe durimi, dashuria romantike përshkon faqet e romanit “Manon Lesko”, një rrëfim i shkëlqyer e një historie pasionante dashurie në një nga romancat më intensive në historinë e letërsisë. Një klasik i madh, që tregon për dashurinë si një obsesion. E vendosur në shekullin e 18-të, kjo histori fillon në Francë. Është historia e kavalierit Des Grieux dhe Manon, e dashura e tij. Ai është naiv, i çoroditur, i guximshëm, ajo është me prejardhje modeste, veçse shumë e bukur. Ai nuk do të hezitojë të braktisë gjithçka për t’u arratisur me të, dashurinë e tij të madhe. Manon ishte destinuar për një jetë në manastir, por natyra e saj ishte krejt ndryshe, jo, ajo nuk do t’i kalonte ditët e saj e mbyllur mes katër mureve. Des Grieux do të bëjë gjithçka për të kënaqur të dashurën e vet. Madje, arrin deri atje sa u kërkon para miqve. Manon do të hyjë e do të dalë nga jeta e tij me një letësi shkatërruese, porse ai nuk do të dorëzohet. Dhe as ajo nuk do të ngurrojë ta tradhtojë, e shtyrë nga pasioni që i buron nga brenda. Ngjarjet marrin rrokopujën dhe dy të dashuruarve u duhet të zënë udhët drejt Amerikës, në Luiziana. Ndoshta më në fund do të gjejnë lumturinë atje. Ndoshta…

Abati Prevo na jep një histori të ëmbël dhe dramatike, një histori dashurie intensive dhe egoiste që do të prekë zemrat e gjithkujt. Përfshirë edhe tonën. Personazhe përshkruar me hollësi për një histori dekadash që nuk mund të ishte më në kohën e duhur. Përshkrimet e detajuara dhe dialogët e mprehtë plotësojnë tablonë, një tablo që dalëngadalë do të shfaqet para nesh me gjithë bukurinë e saj hijeplotë. Një libër klasik, për t’u lexuar dhe rilexuar për të përjetuar emocione kontradiktore. Mbi të gjitha, i sinqertë.