Zëri i saj është pjesë e notës zanore të shekullit XX. Ka një ngjyrë unike, të vrullshme për çdo kategori, teknikisht shpesh është afër papërsosmërisë ose gabimit, por muzikalisht është i gjallëruar nga një dramë “organike” pothuajse e papërshkrueshme, me tërheqje universale. Imazhi si artiste – kur ajo ishte aktive, por në shumë aspekte edhe sot – përfundoi duke u shndërruar një nga mishërimet më romantike dhe magjepsëse të mitit të divës, duke përkuar me atë “fenomenologji” pop, që vijon të mbetet një element vendimtar në suksesin masiv të protagonistëve të shfaqjes në ditët e sotme. Duke kryqëzuar dinamikën dhe sharmin e saj me metamorfozën e vërtetë njerëzore dhe shoqërore të protagonistes dhe me dramën ekzistenciale gjithnjë e më të afërt që më në fund ia doli mbanë, një histori simptomatike, në shumë aspekte një pararendëse fenomenesh, që shoqëria do t’i përjetonte disa herë më vonë. Sa i përket zërit, historianët dhe muzikologët janë fokusuar në rëndësinë e “revolucionit muzikor” të saj. 

Është një qasje e ashpër dhe në të njëjtën kohë zbuluese e performancës, e përkushtimit absolut ndaj partiturave dhe forcës dramatike të natyrshme në virtuozitetin bel canto të krijuar nga autorë si Belini, Rosini, Donizeti ose Verdi i parë, midis Nabukos dhe Makbethit, Rigoletos dhe Traviatës, por jo vetëm. Historia e ilustron personalitetin e hyjnores një përkushtim absolut ndaj muzikës, një profesionalizëm që nuk ndalet përballë çfarëdolloj vështirësie praktike, aftësi për të hyrë në stilin e partiturave të trajtuara me një thellësi të panjohur në epokë. Vargjet më të bukura për hyjnoren u shkruan nga Pier Paolo Pasolini, dashuria e tij e përjetshme e trazuar. Zëri i divës në poezitë e Pasolinit bëhet një forcë e mbinatyrshme, e aftë për të sfiduar kohën dhe ligjet natyrore të botës, deri në atë pikë sa të shndërrohet në një pikë zbarkimi, në një bukuri shpëtimtare, gati hyjnore, që sfidon të padukshmen e domethënies së jetës. Kënga e Kallas shfaqet si melodia që nis krijimin. Nëse dëgjohen me zërin e saj të plotë e hyjnor në sfond, këto vargje të thyejnë zemrën, sepse mund të ndjesh forcën prekëse të një zëri të aftë për të “ringjallur hënën”. Askush nuk arriti ta përkthente me fjalë talentin qiellor të Maria Kallas më mirë se Pier Paolo Pasolini. Megjithatë, ai zbuloi tek ajo një art më të madh se zëri, ajo do të ishte gjithmonë Medea e tij.

Nuk mund të qëndronin larg njëri-tjetrit, biseduan vazhdimisht, në vetëm pak ditë i treguan njëri-tjetrit gjithë jetën e tyre në detajet më intime dhe të papërshkrueshme. Poezitë e shkruara nga Pasolini na japin intensitetin e paprekur të një ndjenje të pastër që asnjë forcë apo rrethanë e jashtme nuk mund të ndikonte. Hyjnorja mishëroi për Pasolinin fuqinë shpëtuese të artit, ajo ishte një muzë tokësore dhe në të njëjtën kohë qiellore. Për Marian, ai mbeti “një ëndërr e ëndërruar vetëm prej saj”. Sot, për një gjë mund të jemi të sigurt: çfarëdo që të ndodhë, zbehja e mitit të Maria Kallas është ende larg. Sepse kërkimet, studimet dhe shfaqjet mbi të vazhdojnë. Kritiku Harold C. Schonberg shkruan:“…asnjë këngëtare e epokës së saj dhe shumë pak në histori kanë arritur të dominojnë publikun si ajo”.