“Mali hesht – dhe në heshtje qesh.

E unë vuej dhe në vuetje vdes.

Po unë, kur? Kur kam për t’u qesh?

Apo ndoshta duhet ma parë të vdes?” 

Vepra e Migjenit është një sfidë ndaj mjerimit të kombit, për të mos thënë që ishte i pari në letërsinë shqipe, që përshkroi këtë gjendje të dhimbshme të gjërave. Vendi ishte i varfër, i trishtë, gjysmë i rrënuar. Në të famshmen “Legjenda e misrit”, ai jep një nga tablotë më të pikëllueshme të kohës. Nën heshtjen dhe misterin e tij, kishte diçka magjiplotë, që të rrëmbente e të bënte për vete, sepse Migjeni për të gjithë qe një mister, një mister që e bënte dhe më joshëse figurën e tij. Çuditërisht në shkrimet e tij nuk kishte as himne, as lajka, as hipokrizi, por thjesht dhimbje, dashuri dhe guxim njerëzor… Ishte novator dhe si i tillë do të kishte fatin e një novatori. Ai e ndan veten nga epoka, me anë të rrugës më të vështirë: duke qenë i ngjitur me të. Ai ka qejf të zhgërryhet në baltërat e kohës, të përshkojë tejembanë ferrin e saj. As grija e jetës së përditshme, as konkretësia e ngjarjeve e as pasioni i tij nuk e zhveshin veprën nga thesari i paçmuar që është universalizmi. Arti që do të bëjë ai është ndryshe nga të tjerët. Iu desh të përdorë forma e teknika të ndryshme të shkruari, të gërshetojë lirizmin me epizmin, komiken me tragjiken, sarkazmin me groteskun, duke sjellë një frymë të re poetike: të re në çdo pikëpamje, në zgjedhjen e motiveve, në shtjellimin e tyre, në mesazhin filozofik që kumtojnë, në stilin, teknikën e të shkruarit, gjuhën. Akoma më i vrenjtur ishte Migjeni. Madje, zymtia i shkonte më shumë se të tjerëve. Pezmi i tij ishte ai pezëm në dukje i rëndomtë, por që është më i fuqishëm i të gjithëve: pezmi qytetar, civil.

“Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra tona.

Afshon erë e mekun, lëngon i zymtë dielli…

Një lis pasqyrohet në lotin e qiellit

Tundet dhe përgjaket në pasion të viganit.

“Jetë! Jetë unë due! e frymë merr prej fellit

Si stuhi shkyn ajrin… por në fund ia nis vajit”. 

Migjeni nuk shkroi vjersha, por këndoi këngën e tij, poezinë brutale të mjerimit, poezinë e revoltës kundër paragjykimeve. Sot, Migjeni, për çudi mbetet më i freskët se kurrë.