“Një zemër e dobët” është një nga tregimet e shkurtra më të hershme të Dostojevskit dhe fokusohet në tragjedinë e Vasja Shumkovit, një i ri pasionant, por naiv. Dostojevski shkruan me ndjeshmëri për miqësinë e burrave teksa e gjejnë veten në shumë situata gazmore, por së shpejti godet tragjedia. Në një kthesë mizore të fatit, frika e Vasias se mos humbet lumturinë e bë të bjerë në një gropë fatkeqësie, nga e cila ai përpiqet të çlirohet. Vijimi është një përrallë tërheqëse dhe zemërthyese, ndërsa Arkadi nxiton nëpër qytet për të gjetur dhe shpëtuar Vasian  para se të jetë tepër vonë. “Një zemër e dobët” është një lexim i domosdoshëm për fansat e romaneve të njohura të Dostojevskit.

Kur Arkadi po kthehej në shtëpi, muzgu kishte rënë gjithandej. Si iu afrua bregut të lumit Neva, mbajti këmbët një çast dhe hodhi një vështrim të mprehtë përgjatë lumit, në drejtim të një horizonti tymnajash me një turbullim të acartë, që befas u përskuq si purpuri i fundit i një agimi të ndezur flakë, tek shuhej në atë kupë të mjegulluar qiellore. Nata po binte mbi qytet dhe tërë lëndina e pamatë e Nevës, që ishte mbuluar nga bora e ngrirë, po mbushej nga rrezatimet e fundit të diellit me një mori të panumërt gacash bryme halore. Acari po arrinte njëzet gradë… Një avull i dendur në ngrirje e sipër po ngihej nga trupi i kuajve të bërë telef dhe i njerëzve që vraponin. Ajri i ngjeshur dridhej edhe nga tingulli më i dobët dhe shtëllungat e tymit, si të ishin qenie gjigante, çoheshin nga të gjitha çatitë e të dy brigjeve të lumit dhe bënin përpjetë qiellit të ftohtë, tek kapërtheheshin e shkapërtheheshin në udhë e sipër, kështu që të dukej sikur ndërtesat e reja ngriheshin mbi ato të vjetrat, sikur një qytet i ri po ndërtohej në ajri… Dukej, më së fundi, se e gjithë bota, me të gjithë banorët e saj, të fuqishëm a të dobët qofshin, me të gjitha banesat e tyre, me strehëzat e të vobektëve a pallatet e lara me flori, që qenë gëzimi i të plotpushtetshmëve të kësaj bote, ngjante në këtë muzg me një ëndërr fantastike, të magjishme, me një ëndërr që, në hesap të vet, zhdukej në çast duke u kthyer në një avull që lartohej përpjetë, drejt qiellit kaltërezi.

Ca mendime të çuditshme e pllakosën shokun e mbetur jetim të të gjorit Vasja. Ai u hodh përpjetë dhe iu bë sikur zemra në këto çaste iu mbulua nga një valë e nxehtë gjaku, që shpërtheu befas, ngaqë e rrëmbeu një ndjesi e fuqishme, që deri atëherë s’e kishte provuar. Sikur vetëm tani ai e kuptoi tërë atë shqetësim, dhe e mori vesh më në fund se paskej luajtur nga fiqiri Vasja i tij i mjerë, që s’i bëri dot ballë fatkeqësisë që e goditi. Buzët zunë t’i dridheshin, sytë iu ndezën prush, fytyra iu zbeh dhe u duk sikur, në këto çaste, ai pa diçka të re…