Llazar Gusho ose Lasgush Poradeci lindi më 27 dhjetor 1899 në Pogradec, në një
familje me tradita atdhetare. Autori e jetoi Rilindjen në periudhën e shpërthimit të
kryengritjeve të mëdha për liri. Në veprën e romantikut të fundit të letërsisë sonë jetoi
shqetësimi atdhetar i mbrojtjes së kombit dhe traditës së Rilindjes, ashtu sikurse
dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimi për një emancipim të
përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare. Lasgushi është autor i më
shumë se 100 poezive, ishte adhurues i fjalëve arkaike, shprehjeve filozofike
popullore, po aq sa i fjalëve të reja dhe eksperimenteve leksikore për një amë të re.
Kuteli e quajti “Poeti i vetëm shqiptar, që mendoi, foli dhe shkroi vetëm në gjuhën
shqipe”. Poezia popullore është jo vetëm objekt frymëzimi, por edhe burim mjetesh
stilistike, fjalësh të rralla, sintetizëm i mjeshtërisë dhe i gjinisë kolektive. Ndjenja për
poetin, e lashtë, sa bota, ashtu si bukuria mbetet përherë e re dhe përmbledh në
vetvete si gjithësia tokësore, të gjitha të kundërtat. Natyra për Lasgushin është një
tempull madhështor, ku poeti rrëfehet me tërë sinqeritetin e tij. Ky tempull është
atdheu i konkretizuar dhe i ndryshëm, me vendlindjen, liqenin dhe malin. Gjatë gjithë
jetës, vetëm me këtë natyrë i rrëfen shpirtit të tij thesaret poetike duke e shpirtëzuar
atë: në thjeshtësinë dhe bukurinë e saj, ajo është parajsa e qetësisë, por është
dramatike dhe të nxit për meditime filozofike. Liqeni i shqetësuar, mali i menduar,
rigjenerojnë shpirtin, pëshpëritin në fshehtësi një bisedë të zjarrtë për atdheun dhe
dramën e tij, për valimin e shpirtit, gëzimin vuajtjen dhe vetë sakrifikimin

Dremit liqeri
Mi zall të pyllit vjeshtarak,
Dremit liqeri pa kufi,
Ay ndaj fundesh u përflak
Posi me zjarr e me flori.
Posi me flakë-u ndes e kroj,
E vetëtiti plot magji,
E yll’ i ditës perëndoj
Në qetësi dhe dashuri.
Tashti po shuhet nënë mal
Qytet’i ngrysur në të zi.
Po ndizen yjtë dal-nga-dal
Plot bukuri! plot fshehtësi!
Në këtë çast perëndimor
Ndaj po më dehen sytë-e mi
Kuptoj si shpirtin vjershëtor
M’a frymëzon një mall i ri.