Rene Magritte, ikona surrealiste, pikturonte me teknikën e ashtuquajtur “iluzionizëm ëndërrues”, që synonte krijimin e një “qarku të shkurtër” vizual tek vëzhguesi. Margritte, më shumë se çdokush tjetër, luajti me zhvendosjen e kuptimit, duke përdorur kombinime të pazakonta të deformimeve joreale. Ai ndjeu nevojën të krijonte universe fantastike dhe misterioze, imazhe të natyrës bazuar në elemente në dukje të palexueshme dhe enigmatike, si “Tradhtia e imazheve”, “Kjo nuk është një llullë”, etj.

Po kush ishte muza, që frymëzoi pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij? Pavarësisht nga pikturat jokonvencionale, Magritte kishte një jetë personale çuditërisht konvencionale. Takimi mes Rene Magritte dhe Zhorzhetë Berger qe dashuri me shikim të parë. Rene, asokohe pesëmbëdhjetë vjeç, takoi për herë të parë vajzën dymbëdhjetë vjeçare të një kasapi vendas në një karusel në panairin e qytetit Charleroi. Vetëm pak vite më parë, Magritte kishte humbur nënën. Takimi me Zhorzhetën do të provonte të ishte stabiliteti që ai kishte nevojë dhe kishte dëshiruar të largonte vdekjen e së ëmës. Megjithatë, çifti i ri do të ndahej, kur gjermanët pushtuan Belgjikën në vitin 1914. Prindërit e Zhorzhetës u transferuan në Bruksel, kurse fill pas kësaj Magritte udhëtoi në kryeqytetin belg për të ndjekur studimet në Akademinë Mbretërore të Arteve të Bukura.

Në vitin 1920, pasi kishin humbur kontaktin për gjashtë vjet, ata do të takoheshin përsëri rastësisht në Kopshtin Botanik të Brukselit. Këtë herë, Rene vendosi të mos ta linte t’i ikte nga duart. Më 28 qershor 1922, u martuan në Kishën Mbretërore të Shën Marisë në Schaerbeek. Pasi u transferua në Paris, Magritte u njoh me Andre Bretonin, teoricieni kryesor i surrealistëve dhe u pranua thuajse menjëherë në grup. Në vitin 1929, ai prezantoi pikturat e veta krahas atyre të Dalisë, Mirosë dhe Pikasos. Megjithatë, shumë shpejt Zhorzhetë do të bëhej burimi i një grindjeje midis Magritte dhe Bretonit, ky i fundit u ofendua për zgjedhjen e bizhuterive në një darkë të organizuar prej tij.

“[Bretoni] Befas drejtoi gishtin tek një kryq i vogël që mbante zonja Magritte në qafë, duke njoftuar se ai kryq ishte një provokim fyes dhe se sigurisht që ajo mund të kishte veshur diçka tjetër kur erdhi në shtëpinë e tij”.

Thuhet se Magrittë mbrojti të shoqen dhe çifti qëndroi deri në fund të mbrëmjes. Mirëpo, marrëdhënia midis Magritte dhe Bretonit ndryshoi përgjithmonë – tetë vitet e ardhshme ata nuk folën, duke shkaktuar një përçarje midis surrealizmit francez dhe atij belg. […] Përgjatë rrugëtimit të jetës së Renesë, Zhorzheta qe muza dhe një nga burimet kryesore të frymëzimit për punën e tij. Tiparet e saj perceptohen qartë në shumë nga subjektet femërore të artistes. Në fakt, Magritte pikturoi të paktën një portret të gruas së tij në secilën prej periudhave të tij artistike. “Zhorzhetë ishte e kudondodhur. Ka imazhe të panumërta të saj në veprën e Magritte – trupi i saj është edhe tempull, edhe shabllon”. Historia e dashurisë mes Rene dhe Zhorzhetës i qëndroi provës së kohës. Ai do të vazhdonte të frymëzonte breza krijuesish, duke përfshirë Pol Simonin, i cili në 1993 publikoi baladën “Rene dhe Zhorzhetë Magritte me qenin e tyre pas luftës”. Edhe pse çifti nuk pati fëmijë, ata kishin një tufë pomeranezësh, të gjithë quheshin Loulou, të cilët i donin shumë.  Rene vdiq në vitin 1967, kurse Zhorzheta do të jetonte edhe 20 vjet të tjera dhe u varros pranë tij në varrezat “Scharbeck” afër Brukselit, në vitin 1986. Deri më sot, është e qartë se Rene ishte marrëzisht i dashuruar me Zhorzhetën. Energjia e dashurisë mes tyre është ende e dukshme: në historinë e tyre, në shtëpinë e tyre, në artin e tij.