Rembrand van Rijn u martua me Shasha van Uylenburgh në 1634, duke jetuar bashkë vetëm tetë vjet për shkak të vdekjes së saj të parakohshme. Gjeniu e pikturoi muzën gjatë jetës, po edhe pas vdekjes së saj. Për të, ajo ishte Flora: pranvera, jeta, dashuria dhe bukuria. Me gjithë kundërshtimet e familjes, rridhte nga një familje e pasur holandeze, ajo u martua me Rembrandin e varfër. Me siguri Rembrand përfitoi nga pasuria e Shashas, duke blerë një pronë të shtrenjtë në Jodenbreestraat, gjithsesi e tyrja ishte një dashuri me shikim të parë që u ndërpre tragjikisht nga vdekja e saj në 1642. Rembrandi mbeti i ve me një djalë, Titusin. Sipas testamentit të Shashas, ai do t’i humbiste të gjitha të ardhurat nëse do të martohej sërish, kështu që gjatë gjithë jetës, megjithëse pati dy të dashura për një kohë të gjatë, ai mbeti beqar. Ishte ende shumë larg famës së tij, kur Rembrand zgjodhi të celebronte bashkëshorten e re duke e pikturuar me veshjen e Florës, perëndeshës romake të pranverës. Flora lidhej me lulet, pjellorinë e rininë dhe zakonisht përfaqësohej edhe një grua e re e bukur, që mbante lule ose një  bri.

Rembrand e paraqet Shashan si Flora me një kurorë lulesh që i rrotullohen nëpër flokë, duke mbajtur një ndërthurje larmi lulesh para shpelle me lule me hije. Ajo duket e re, e pafajshme dhe thuajse disi e ndrojtur, vështrimi i saj nuk takohet me tonën. Vajzëria e saj bie ndesh me kostumin luksoz prej mëndafshi, gëzofi dhe qëndisjeje që pothuajse e mbulon dhe i përforcon ndjenjën e bollëkut. Pëlhura dhe pozicioni i dorës mbi stomak lë të kuptohet për fertilitetin e ardhshëm dhe perspektivën e një fëmije. Ndoshta ishte shtatzënë me një nga foshnjat që do të humbiste. Rembrand e pikturoi të shoqen edhe veshjen e perëndeshave të tjera, përfshi Bellonën, hyjninë romake të luftës që mbante një parzmore; e përshkroi si Minerva, perëndeshë e mençurisë, e veshur me kurorën e dafinës së fitores duke vështruar një libër të madh. Ka edhe një gravurë si Shën Katerina, apo modeli i pikturës së heroinës së Dhiatës së Vjetër – Judith. Diskutohet nëse këto figura femra janë vërtet portrete të Shashas apo përshkrime më të përgjithshme të grave. Nuk ka rëndësi. Pavarësisht nëse Shasha pozoi apo jo për këto piktura, shihet qartazi se ajo ishte idealja e Rembrandit. Pra, edhe kur pikturonte femra të tjera, i shihte gjithmonë përmes filtrit të së shoqes. Në këtë kuptim, për Rembrandin, Shasha ishte Flora: sjellëse e jetës, bukurisë dhe frymëzimit, e pavdekshme pavarësisht nga vdekja e saj tragjikisht e hershme.