Artur Shnitzler

Në epokën tonë, snobizmi është një sëmundje kaq e përhapur e shpirtit, saqë pothuajse mund t’i atribuohet një karakter endemik dhe të krahasohet në mënyrë të përshtatshme, për shembull, me tuberkulozin. Për mjaft njerëz ajo ka pasoja edhe fatale, megjithëse padyshim vdekja e shpirtit nuk mund të konstatohet me të njëjtën lehtësi si ajo e një organizmi. Në shumicën e rasteve snobizmi ka një ecuri rrëshqitëse, ndonjëherë kalon pothuajse pa u vënë re dhe mund të konstatohet – ashtu si tuberkulozi vetëm me shqyrtim të imët – vetëm me një ekzaminim shumë të kujdesshëm të shpirtit. Ndodhin edhe forma trashëgimore, të lehta dhe të rënda, të shërueshme dhe të pashërueshme, dhe njerëzimi i sotëm duhet të ndërmarrë një betejë sistematike kundër tyre, qoftë edhe për shëndetin e fëmijëve të tij.