Ndodh që dashuri të befta të na trokasin në çastet më të vështira të jetës, duke u pritur zemërhapur dhe besimplote. Sepse disa prani të shërojnë, ato futen në jetët tona pa thyer gjëkafshë, përkundrazi riparojnë. Frida ra në dashuri me një person shumë të ngjashëm me veten: një adhurues arti dhe fatkeq në dashuri.

Nik, të dua si një engjëll… Nuk do të të harroj kurrë, ti je jeta ime dhe shpresoj që të mos e harrosh kurrë këtë”. Nik Mërei realizoi portretet më të njohura të Frida Kahlos, ai qe fotografi me të cilin ajo u dashurua mes viteve 1931 dhe 1946. Ikona meksikane provoi me fotografin një dashuri ndryshe nga ajo e Riveras: një dashuri më të qetë, më të paqtë, por po aq intensive. Nikolas Mërei ishte një nga fotografët më të shquar të shoqërisë së lartë amerikane. Falë punës kishte arritur të bënte emër në “Broadway”, “Vogue”, “Harper’s Bazaar” dhe “New York Times”. Kur fati dhe arti i bashkuan në vitin 1931, diva po luftonte me trazirat e një martese të dështuar. Nikolas Mërei iu përgjigj me të njëjtën monedhë, porse bëri gabimin më të keq: shpresoi shumë. Madje, i kërkoi të famshmes Kahlo që të martohej me të. Mirëpo, ajo i bëri të kuptonte se e donte atë vetëm për të dashur, jo për bashkëshort.

“Kjo dashuri është kaq reale dhe e bukur, sa më bën të harroj dhimbjet dhe problemet e mia. Më duhet të pres derisa të distancohem. Përmes fjalëve të tua ndjehem kaq e sigurt, sa mund të të ndiej edhe atë buzëqeshje, kaq të sinqertë e të ndershme, karakteristikë e jotja”.

Mërei ka ditur të kapë shpirtin e artistes, karizmin, gjenialitetin, veçantinë, si dhe rrënjët e saj meksikane. Askush tjetër nuk kishte arritur një menaxhim kaq mbresëlënës ngjyrash dhe se teknika e tij ishte një nga më novatoret e kohës. Ishte një nga ato personalitete shumëplanëshe, që tërheq përherë vëmendje. Lindi në Hungari, por me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, shkoi refugjat në Shtetet e Bashkuara. Ishte vetëm 19-vjeç, por ishte një fotograf i mrekullueshëm dhe një studiues ngjyrash. Adhuronte artin dhe pikturën. Kishte kaluar orë të tëra në muzetë gjermane. Jeta i ndryshoi, kur, në orbitën profesionale, udha iu kryqëzua me yllin verbues Frida Kahlo.

“I dashur Nik,

Sot në mëngjes mora letrën tënde pas kaq ditësh pritje. U ndjeva kaq e lumturuar, saqë fillova të qaja para se ta lexoja. Në të vërtetë, unë nuk duhet të ankohem për gjithçka që më ndodh në jetë, përderisa ti më do dhe unë të dua (…)”.

Artisja i dhuroi të dashurit një karrocë kafeje me mbishkrimin në hungarisht: “Të dua siç do të doja një engjëll, nuk do të të harroj kurrë, kurrë. Ti je gjithë jeta ime, shpresoj të mos e harrosh kurrë këtë”. Thuhet se Frida e quante Nik Mërein “djali im” edhe pse ishte 15 vjet më i vogël se ai. Ndoshta ishte shenjë e dashurisë së ngrohtë, të sinqertë dhe të qetë që ajo ndjente për të. Dashuria për fotografin zgjati më shumë se një dekadë, duke përfunduar në një miqësi të ngushtë dhe të çmuar. Fotografi ishte i vetëdijshëm për vështirësitë ekonomike që artistja kalonte herë pas here.

“I dashur, pse e dërgove atë çek prej 400 dollarësh? Ishte një gjest shumë i bukur, por do ta mbaj të paprekur këtë çek derisa të kthehem në Nju Jork (…). Niku im, ti je njeriu më i sjellshëm që kam pasur ndonjëherë. Nuk është e drejtë të shpenzosh ca para më shumë… Gjithsesi, ti nuk e di sa mirënjohëse të jam për gatishmërinë për të më ndihmuar, nuk kam fjalë të përshkruaj se sa e lumtur jam, duke ditur çdo gjë që ke provuar për të më bërë të lumtur dhe që je kaq i mirë dhe i adhurueshëm… I dashuri im, qielli im, Niku im, jeta ime, fëmija im, unë të adhuroj”.

Marrëdhënia e tyre ka qenë një rrugëtim i mrekullueshëm që nisi me dashuri, më pas u shndërrua në një miqësi shumë të ngushtë dhe bashkëpunëtore, deri në vdekjen e vetë Fridës në vitin 1954. Mërei vdiq nga ataku në moshën 70-vjeçare, duke mos e harruar kurrë të dashurën.