Mes frikës se do të ndodhë diçka dhe shpresës se ende mund të mos ndodhë, ka shumë më tepër hapësirë se sa mendoni. Në atë hapësirë të ngushtë, të pakëndshme, të zbrazët dhe të errët, e kalojnë jetën shumica prej nesh.

Nobelisti Ivo Andriç njihet rëndom si autori epik i fateve dhe ngjarjeve historike që shënuan epokat e vendlindjes së tij. Pena jashtëzakonisht e mprehtë dhe skrupuloze alternon metaforat dhe krahasimet befasuese me një gjuhë therëse dhe të drejtpërdrejtë – një ekstrakt realizmi. “Tregimet nga Sarajeva” – një qytet gjithnjë i trazuar që bëhet simbol i vullkanit universal, ku secili prej nesh përjeton rrugëtimin e tij të jetës. Është një udhëkryq i feve dhe besimeve të ndryshme: katolicizmit, krishterimit, ortodoksizmit, judaizmit dhe islamit, marrëveshja mes tyre është detyrë që e kërkon historia. Këngët, traditat dhe legjendat, me të cilat ai u rrit do të jenë lënda për romanet dhe tregimet e shkurtra. “Bëhet fjalë për ato ngjarje të vogla, të padukshme, por fatale, që shpesh thyejnë shpirtrat e atyre njerëzve të vegjël, që ne i quajmë fëmijë dhe që të rriturit e kredhur në shqetësimet e tyre, i kanë kapërcyer lehtazi ose nuk i kanë pikasur fare”.

“Të jetosh në frikë, pendim dhe frikë të përjetshme të frikës; të mos jesh në gjendje të mbyllësh sy, apo të marrësh frymë thellë dhe, pavarësisht gjithë kësaj, të punosh, të qeshësh dhe të bisedosh, për burra si unë do të thotë të jetosh, të kesh sukses në jetë”, – do shprehej autori.

“Ati i Qiejve që mbi ne mbretëron dhe që gjithçka di, ki mirësinë vështro këtë tokë shkëmbore të Bosnjës dhe ne, pjellën e saj, që bukën i hamë. Falna atë që ditë e natë, secili sipas mënyrës së tij, të kërkojmë: fali paqen zemrave tona dhe harmoninë qyteteve tona. Mjaft më me gjak dhe zjarre lufte. Na duhet buka e paqes!” – do dukej si një profeci e asaj që ndodhi më vonë, në vitet 1990, në Bosnjë dhe Hercegovinë. Faqet e librit i përshkon një melankoli e paepur ballkanike, pasojë e dominimit të huaj shekullor, fillimisht turk, mandej austro-hungarez, duke u kthyer shpesh në një karakteristikë endemike, dorëheqje dhe fatalizëm. Sa i përket librave dhe funksionit të tyre, Andriçi përdor fjalë me një shije thuajse të shenjtë: “Libra, nga të cilët dukej se rrezatonte drita dhe ngrohtësia”.

Për më tepër mund të lexoni librin e plotë: Tregime nga Sarajeva