Më 14 mars 1879 do të lindte shkencëtari dhe filozofi i madh i të gjitha kohërave: Albert Ajnshtajni, gjeniu i fizikës dhe fituesi i çmimit “Nobel”, i përkushtuar ndaj çarmatimit dhe paqes botërore. Asnjë shkencëtar modern nuk i afrohet nivelit moral dhe shkencor të Ajnshtajnit. Ishte viti 1945, fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe bota po shkonte drejt një periudhe paqeje dhe rindërtimi. Mirëpo Ajnshtajni, njohës i mirëfilltë i mistereve të hapësirës, ​​kohës dhe “marrëzive të pafundme njerëzore”, e dinte se paqja ishte ende një mirazh i largët. Dhe provat e fakteve i dhanë plotësisht të drejtë. Kushedi se çfarë do të mendonte për këtë botë të sëmurë, ende të ndarë nga luftërat, tetëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës së tmerrshme që pasoi atë që në mënyrë utopike duhej të kishte shënuar fundin e të gjitha luftërave.

Do të kishim dashur të dëgjonim mendimin e tij për faktet që po asistojmë, ai që në pjesën e dytë të jetës së tij, pasi ia kushtoi gjeninë e vet kërkuese mistereve të fizikës, ndjeu brenda vetes nevojën për t’u konsumuar në përkrahje të të mposhturve dhe kundër dhunës, luftës e bombës atomike. Me gjithë respektin për intelektualët që mbyllen në kullat e tyre të fildishta dhe të painteresuar për çka ndodh në botë, Ajnshtajni ishte pikërisht e kundërta. Ai nuk e kurseu veten, duke e përdorur famën dhe zgjuarsinë e tij për të promovuar një proces paqeje.

Njerëzimi shpiku bombën atomike, por asnjë mi në botë nuk do të ndërtonte kurrë një grackë minjsh.

Ne, dëshmitarët e një rendi botëror që është jashtëzakonisht i paqëndrueshëm dhe shqetësues, jetimët e gjenisë së tij kaustike, kapemi pas mitit që Ajnshtajni vijon të përfaqësojë sprovën për të besuar se njerëzimi ka ende një shans për të mbijetuar.

Ndjenja e misterit është më  bukura që mund të përjetojmë. Ai është burimi i gjithë artit dhe shkencës së vërtetë.

Mësoni nga e djeshmja, jetoni të sotmen, shpresoni të nesërmen.