Vështrim i ëmbël dhe i mprehtë, flokëbardhë, elegancë e thjeshtë, një zonjë trupvogël përtej kohërave, mësuam ta njohim kështu, duke iu shmangur pyetjeve të gazetarëve, e vendosur të qëndrojë në heshtje, një heshtje tingulli që e gjejmë në poezitë e saj, si pjesë thelbësore të krijimit poetik. “Për mua poezia lind nga heshtja”, – ajo e fletës së bardhë. Szymborska konsiderohet si poetja më e madhe polake e këtij shekulli. Me gjithë interesin e madh të ngjallur për atdheun e saj dhe çmimin “Nobel”, që iu dha në vitin 1996, ajo parapëlqen të rrijë në hije. Në poezinë e saj asgjë nuk është e përcaktuar, kategorike, ajo nuk është poetesha e të vërtetave të mëdha, ajo ngre pyetje për atë çfarë sheh, për ekzistencën që çon dhe e vështron teksa i rrëshqet para syve. Për këtë arsye, shumë nga poezitë stërpiken nga pikëpyetje, të cilave nuk u jep asnjëherrë një përgjigje përfundimtare, pasi i imponon vetes një kërkim të përhershëm për kuptimin, një kuriozitet që e çon drejt përballjes me argumente nga më të ndryshmet, duke mbajtur si të vetmen konstante atë të vlerës absolute të dyshimit. Madje, deri në atë pikë sa vë në dyshim edhe vlerën ontologjike të vetë poezisë.

Poezia –

por çfarë është poezia?

Më shumë se një përgjigje e paqartë

është dhënë tashmë në këtë drejtim.

Por nuk e di, nuk e di dhe mbërthem pas saj

si shpëtimi pas një parmaku.

Poezia e Szymborskës karakterizohet nga parapëlqimi për vargun e lirë, duke u dhënë rreshtave poetikë një prirje bisedore, por kurrë të përulur. Wislawa e vazhgon me vëmendje botën, gjithmonë duke u mrekulluar me bukurinë vitale që fshihet në gjithçka, pasi gjithçka për të fsheh një profil të jashtëzakonshëm. Autorja mahnitet me detajet e ekzistencës që zbulojnë madhështinë e qenësisë. E veçanta stilistike është ironia e lehtë, e cila si një tis pluhuri bie ngadalë mbi gjërat dhe qeniet njerëzore. Kjo bijë e shekullit, siç i pëlqen ta quajnë, nuk i përket asnjë rryme letrare, ajo lundron e lirë në detin e poezisë sipas rregullave të saj. “Do të parapëlqeja të deklaroja të mos shkruaja për poezinë. Sa më shumë që më thith aktiviteti krijues, aq më pak ndiej dëshirën për të formuluar një kredo poetike”. Pra, mënyra më e mirë për t’iu afruar Wislawas është gjetja e kohës për t’u mësuar me heshtjen, për të lexuar në atë boshllëk të zhveshur, ku mund të rizbulosh vetëm mrekullinë e asaj që na rrethon, temën latente të magjisë që fshihet nën sipërfaqen e gjërave të botës.

I vlerësoj shumë këto dy fjalë të vogla: “Nuk e di”. Të vogla, por të pajisura me krahë për fluturim. Ato na e zgjerojnë jetën në një dimension që nuk përshtatet me veten tonë dhe në madhësinë në të cilën Toka jonë e vogël qëndron pezull.