Tek Xhovani Verga, shkrimi befas bëhet fotografik dhe të krijohet përshtypja sikur parashikon atë çështje, që mandej do të bëhet gazetari, besimi se jeta duhet raportuar në letër ashtu siç është, si një lajm, pa u përpjekur ta korrigjojë apo zbukurojë atë. Vizioni i Vergës nuk është shumë ngushëllues, por pasqyron realitetin: të gjithë individët, pa asnjë përjashtim, kaplohen nga një ambicie, një dëshirë, përndjekja ngulmuese e mirëqenies së tyre. Në romanet dhe tregimet e shkurtra, autori realist flet për shfrytëzimin në punë, braktisjen e shkollës, varfërinë, emigracionin, përjashtimin dhe diversitetin social, disfatat dhe marrëdhëniet e dhunshme njerëzore. Ndoshta nuk janë lexime qetësuese, por janë të lidhura ngushtë me botën ku jetojmë dhe na kujtojnë, pavarësisht kalimit të pandalshëm të viteve, se rrëfimi është një mënyrë për të kuptuar kontradiktat e mëdha të shoqërisë.

Verga na flet për shfrytëzimin në punë: puna është një nga temat madhështore të rrëfimeve të tij. Protagonistët shpesh shfrytëzohen, ose kryejnë “punë të paligjshme”, shtypen dhe nënshtrohen nga vullneti i shefave. Ai përshkruan errësirën e pashmangshme të minierave, mundin e fermerëve, djersën e vjelësve të ullirit, zhgënjimin e peshkatarëve, vetminë e barinjve. Verga flet për emigracionin, madje edhe vetë u largua nga Siçilia për në Milanon industriale, qytet me rol vendimtar në formimin e tij si shkrimtar. Në shumë prej veprave, ai trajton “çështjen e jugut” dhe sitatën e vështirë që pësuan ata që u detyruan të largoheshin nga Jugu për në Veriun më të pasur. Një situatë e pranishme edhe në ditët e sotme. Po ashtu, autori flet pët të përjashtuarit socialë, duke u dhënë zë personazheve të pazakontë, të margjinalizuar, të cilët paraqesin rëndom një “diversitet” dhe duket se janë në konflikt me mjedisin shoqëror ku jetojnë. Autori u jep zë të shtypurve, të mundurve, jo heronjve, atyre që luftuan dhe humbën. Në shoqërinë tonë konkurruese dhe performuese, kujtimi i këtyre personazheve mund të na ndihmojë të rishqyrtojmë gjërat, duke u dhënë vlerën e duhur, duke na kujtuar se virtyti jeton edhe tek të pafatët. Verga flet për kujtesën: ne jetojmë të projektuar drejt së ardhmes, në një ndjekje të vazhdueshme dhe të shfrenuar, por Xhovani Verga na kujton peshën e paçmuar të së shkuarës. Për të interpretuar të ardhmen duhet të njohim të shkuarën, kësisoj letërsia e Xhovani Vergës na kujton se fjala fsheh një thesar të vërtetë në aftësinë për të interpretuar realitetin dhe për ta shndërruar atë në diçka reale, të prekshme, për ta vënë para syve tanë dhe për të thënë: “Ja, kjo është ajo”. Të mendosh për veprat e Vergës është si të marrësh frymë nga ajo frymë e së vërtetës dhe të thuash: “Po pse nuk ka ndryshuar shoqëria?”