Sot, më 8 mars përkujtojmë Shën Gjonin e Zotit, mbrojtësin e librashitësve, të sëmurëve, spitaleve dhe infermierëve, sepse në rrugëtimin e jetës leximi dhe kujdesi për të tjerët ecën paralelisht, për të ushqyer jo vetëm trupin, por edhe shpirtin.

Figura e Shën Gjonit të Zotit (Montemor-o-Novo, 8 mars 1495 – Granada, 8 mars 1550) dhe historia e jetës kontroverse e bëjnë këtë personazh, në një farë mënyre pararendës të komunikimit modern, kushtuar ilustrimeve që përdoren sot për të mësuar çdo lloj koncepti.

Vuajtjet i filluan që herët, në moshën 8-vjeçare, Gjoni Sidade (ose Ciudad) u zhduk nga shtëpia për të mos u kthyer më. E vijoi jetën në Spanjë, me një fermer që do ta bëjë të studiojë dhe të punojë për të, duke u kujdesur për të si një djalë. Fati i tij dukej mjaft i qartë: sapo të arrijë moshën e duhur, Gjoni do të martohet me vajzën e fermerit dhe do vazhdojë biznesin familjar. Megjithatë, i riu vendosi të regjistrohej në ushtri për të luftuar francezët në kufi.[…]

Gjoni niset për në Vjenë, këtë herë përkrah ushtrisë së perandorit evropian dhe mbretit spanjoll Karli V. Në përfundim të luftimeve, fillon një periudhë plot lëvizje, të cilën as biografët që i janë përkushtuar rindërtimit të historisë së tij, nuk arrijnë ta detajojnë me data të sakta. E sigurt është, që ai u përkushtohet në vende të ndryshme zanateve nga më të ndryshme: nga bari në Sevilje te pelegrin në Compostela e deri tek shitës ambulant në Gjibraltar dhe, së fundmi, librashitës, këtë herë në Granada.

Për të riun, marrëdhënia me librin përfaqëson diçka ndryshe dhe më të thellë. Nuk bëhet fjalë për të mbijetuar, por për një profesion të vërtetë. Gjoni i apasionuar pas librave, veçanërisht pas atyre me ilustrime, është më se i bindur për fuqinë komunikuese të ilustrimeve dhe shkon nëpër qytet duke u rekomanduar njerëzve libra me ilustrime, gjithashtu për të forcuar besimin e tyre. Për të “imazhet ringjallin përkushtimin, zgjojnë vëmendjen, fiksojnë kujtimet”. Dashuria për librat dhe besimi, se fjalët dhe imazhet ndihmojnë në njohuri dhe lartësojnë besimin e njerëzve që ndjehen të humbur, i dhanë pas vdekjes atributin e shenjtorit mbrojtës të librashitësve, çka nuk është për t’u habitur.

Por pse një njeri me një jetë kaq të furishme dhe disi misterioze u bë shenjtor? Edhe pse profesioni i librashitësit i pëlqente dhe e nxiste të ishte një udhërrëfyes shpirtëror, pavarësisht se nuk është prift, teolog apo tjetër figurë fetare, edhe kjo punë zgjat fare pak. Pas fjalëve të një turme mistike, Gjoni iu përkushtua një pendese shumë të ashpër. Sjelljet e tija e bënin të dukej i çmendur, aq sa e mbyllin në një spital mendor më 1539. Mund të duket si fundi për librashitësin shenjt, porse është veç fillimi i rrugëtimit të besimit të thellë dhe bamirësisë me synimin për të ndihmuar të sëmurët, “profesion”, që do t’i qëndrojë besnik deri në fund të jetës.

Për të ndihmuar sa më shumë njerëz në nevojë në azil, Gjoni shtiret si çmenduri, duke iu përkushtuar shpirtrave të vetmuar, të margjinalizuar nga shoqëria dhe të braktisur nga të afërmit. Ishte koha kur jetoi në kontakt me dhimbjen më autentike. Më pas, Gjoni hapi një fjetore për të pastrehët dhe një spital. Nuk ka titull kishtar, megjithatë brenda vetes ndjen dëshirën e zjarrtë për t’ia kushtuar jetën Zotit dhe të përvuajturve. E ndryshoi emrin në Gjoni i Zotit dhe u paraqit te peshkopi i qytetit të Granadës, duke u angazhuar zyrtarisht t’i përkushtohej të përvuajturve në trup dhe në shpirt. Shpejt iu bashkuan edhe misionarë të tjerë, për pasojë në 1540 lindi “Kongregacioni i Vëllezërve të Mëshirës”.

Sot Gjoni i Zotit përfaqëson një pararendës të konceptimit aktual të spitalit modern. Do rritet numri i spitaleve me kalimin e viteve, edhe pas vdekjes së tij, dhe më pas do të marrë emrin “Urdhri i Spitalorëve të Shën Gjonit të Zotit”.

Shenjti librashitësi vdiq më 8 mars 1550, në ditëlindjen e tij të pesëdhjetë e pesë. Pas një shekulli, në 1630, Papa Urban VII do ta shpallë të bekuar, ndërsa Papa Aleksandri VIII do ta shenjtërojë gjashtëdhjetë vjet më vonë. Sot ai kujtohet si shenjti mbrojtës i librashitësve, të sëmurëve, spitaleve dhe infermierëve.