Një nga emrat e mëdhenj të letrave amerikane, një zë poetik në të cilin kumbon heshtja. Merr krahë. Prek dhe shkon përtej vetë pafundësisë me disa rrahje të shkathëta. Natën dhe ditën. Për jetën e saj reale dhe fshehjen këmbëngulëse nga bota dimë fare pak. E mbyllur në dhomën e saj, me stilolaps e bojë gjithmonë pranë, ajo kompozoi mijëra poezi. U shkruante letra miqve të paktë, duke e ulur shikimin e saj të mprehtë dhe të gjerë mbi gjërat e dukshme dhe të padukshme të ekzistencës.

Dikinson nuk ishte admiruese e shenjave tradicionale të pikësimit. Madje, poezia e saj nuk ka asgjë konvencionale në të, si rrjedhojë edhe përdorimi i shenjave të pikësimit nga poetja mund të jetë e pazakontë. Poezitë e saj tregojnë një prani masive vizash e linjash, të cilat, në fillim, redaktorët i korrigjuan duke ndjekur rregullat më pedante të pikësimit. Megjithatë, mënyra e saj për t’i ndalur veprat luajti një rol themelor si për ritmin e vargut, ashtu edhe për kuptimin e brendshëm.

Qëndrimi ndaj fesë dhe marrëdhënieve shoqërore ishte gjithmonë ai i një rebeleje të paepur, e një kundërshtareje të pabindur. Për më tepër, asaj i pëlqente ta quante veten pagane dhe shkroi disa herë për meritat e shkencës mbi ato të fesë.

Në të gjallët e saj nuk publikoi asgjë me emrin e saj, madje përmbledhja e parë me poezi u botua katër vjet pas vdekjes. Ato pak vargje që dilnin në revista dhe gazeta, nuk kishin miratimin saj dhe nuk mbanin emrin e saj.

Poetja tridhjetë vjeçare filloi të kishte probleme me shikimin. Nuk e duronte dritën shumë të fortë dhe kishte dhimbje të forta gjatë leximit ose shkrimit. Prej vitesh ajo u detyrua të lëvizte në dhoma jo shumë të ndriçuara, të shkruante vetëm me laps dhe të lexonte sa më pak. Jetoi gjithmonë në shtëpinë e babait, duke mbajtur marrëdhënie të ngushta me familjen. Edhe pse jetonte në pension, në dhomën e saj në katin e parë, poetja ruante gjithmonë marrëdhënie të ngushta me vëllanë dhe kunatën e saj të dashur, Suzanën, e cila jetonte vetëm disa hapa larg.

Poetja nuk u martua kurrë, por disa nga letrat zbulojnë dashurinë e saj për një burrë misterioz. Sipas disa studiuesve, ai mund të ishte redaktor i një gazete të famshme, student i Amherstit ose ndoshta vetë Zoti. Me pak fjalë, asgjë nuk dihet me siguri. Dikinson mori gjithashtu një propozim martese nga gjyqtari Otis Lord, i cili, megjithatë, nuk mori kurrë një përgjigje.

Studiuesit janë përpjekur të kuptojnë se çfarë e shtyu poeten të tërhiqej gradualisht nga bota. Sipas disave, kjo ishte për shkak të një forme ankthi ose depresioni të rëndë, për të tjerë ishte dëshira për t’iu përkushtuar tërësisht poezisë.

Pas vdekjes së saj, Lavinia i kërkoi të dashurës së vëllait, me profesion shkrimtare, që të merrte përsipër botimin e poezive të motrës. Së bashku me Thomas Higgingson jo vetëm që redaktuan botimin e koleksionit, por gjithashtu bënë disa konferenca mbi veprën e poetes së ndjerë.

E apasionuar pas kopshtarisë, Dikinson pëlqente jo vetëm mbjelljen e bimëve dhe luleve në kopshtin e saj të shtëpisë, por edhe rritjen e perimeve. Një dashuri për natyrën, e cila, për më tepër, shkëlqen edhe në poezitë e saj.