Sipas një gojëdhëne, i madhi Aleksandër Pushkin nuk vdiq nga plaga që mori gjatë duelit.  Historia rrëfen se ai simuloi vdekjen e vet dhe udhëtoi drejt Francës, ku filloi të shkruante romane me emrin Aleksandër Dyma.

Në Rusi, shpesh vdekjet e njerëzve të famshëm rrethohen nga mite. Kështu, sipas gojëdhënave të ndryshme, perandori Aleksandri I, në fakt, nuk vdiq në moshë të re, përkundrazi jetoi deri në moshën e shkuar të pleqërisë i vetmuar në një manastir siberian; shkrimtari i mirënjohur Nikolla Gogol u varros i gjallë, sepse ra në gjumë letargjik dhe, vajza e Nikollës II, Anastasia, mbijetoi pas ekzekutimit të familjes perandorake… Pra, edhe poeti i famshëm Aleksandër Pushkin nuk ka shpëtuar nga spekulime të tilla.

Është paradoksale, që, edhe gati 200 vjet pas vdekjes, shfaqen mite të reja për poetin. Për shembull, prej 10 vjetësh, në internet po aludohet me hipotezën se poeti Aleksandër Pushkin nuk vdiq, por u transferua në Francë, ku vazhdoi karrierën e të shkruarit nën emrin e Aleksandër Dymasë. Befas, rezultojnë të ketë shumë rastësi misterioze në biografitë e Pushkinit dhe Dymasë. Gjykojeni vetë…

Dueli i fundit dhe varrimi sekret i Pushkinit
Në 1836, në Shën Petërburg u përhapën thashethemet, se gruaja e Pushkinit, Natalia Gonçarova, kishte një lidhje romantike me francezin Xhorxh-Sharl d’Antes. Pushkini impulsiv nuk e duroi dot një fyerje të tillë dhe e sfidoi d’Antesin në duel, ku poeti u plagos për vdekje dhe vdiq dy ditë më vonë. Mirëpo, ai u varros gati në fshehtësi të plotë. Vdekja e poetit më të shquar të Rusisë qe një tragjedi dhe tronditje për shumë njerëz dhe shënpetërburgasit fajësonin autoritetet dhe shoqërinë e lartë për atë që kishte ndodhur.

Mijëra njerëz u mblodhën jashtë shtëpisë së poetit të ndjerë, për t’i bërë nderimet e fundit dhe për të shprehur pakënaqësinë e tyre. Për të parandaluar trazirat e mundshme, perandori urdhëroi që të mos mbahej një funeral publik. Publikut iu tha se ceremonia e lamtumirës do të bëhej në Katedralen e Shën Isakut në Shën Petërburg, por arkivoli, i shoqëruar nga xhandarët, u dërgua fshehtas gjatë natës në provincën e largët Pskov. Pushkini u varros atje në qetësi, në një manastir jo shumë larg pronës familjare në Mikhailovskoye. Në varrim, përveç xhandarëve, ishte vetëm një nga shokët e tij dhe nja dy shërbëtorë.

Një vdekje dhe varrim i tillë ofronte hapësirë të madhe për shfrenime të fantazisë dhe spekulimeve. Për më tepër, vitet e fundit të jetës, Pushkini ankohej shpesh për një ndjesi dëshpërimi. Ishte i pakënaqur me pozicionin poshtërues në oborrin mbretëror dhe detyrimin për të marrë pjesë në ballo, marrëdhëniet e tij të vështira me Carin Nikolla I, borxhet e mëdha dhe refuzimin e të shoqes për të hequr dorë nga jeta e kryeqytetit. Nga ky ngërç kishte dy mënyra të mundshme: vdekja ose fshehja.

Për më tepër, në rrugëtimin e jetës Pushkini nuk u lejua kurrë të udhëtonte jashtë vendit dhe ai dëshironte dëshpërimisht të shihte Evropën. Sipas një teorie konspirative, ishte vetë cari rus që e dërgoi Pushkinin në Paris si spiun me emrin Aleksandër Dyma dhe dyshohet se pagoi 70 000 rubla nga borxhet e tij (një shumë e madhe në atë kohë) për këtë shërbim.

A mund të ishte bërë Pushkini Dyma?
Pushkini fliste rrjedhshëm frëngjisht dhe i shkroi krijimet e para letrare në gjuhën frënge. Me fjalë të tjera, ai, në mënyrë hipotetike, mund të shkruante lehtësisht romane franceze. Përveç kësaj, të gjitha romanet e mirënjohura të Dymasë, që i sollën famë letrare (“Tre muskëtjerët”, “Njëzet vjet më pas”, “Konti i Monte Kristos” dhe trilogjia për Henrikun e Navarrës) u shkruan pas “vdekjes” së Pushkinit, në mesin e viteve 1840. Kjo është tjetër rastësi e jashtëzakonshme.

Romani “Mjeshtri i skermës” u botua me emrin e Dymasë në 1840. Aksioni shpaloset në Rusi dhe zbulon njohjen e autorit jo vetëm me emrat e vendndodhjeve në Shën Petërburg, por edhe me realitetet e jetës ruse të asaj kohe. Sipas fabulës, autori ka në posedim shënimet e një mjeshtri të skermës, i cili jepte mësim në Rusi.

Shumë nga nxënësit e tij më pas u bënë Dhjetoristë – pjesëmarrës në revoltën e 1825-it nga aristokratët në Shën Petërburg. Revolta u shua dhe Dhjetoristët u internuan në Siberi. Subjektin e Dhjetoristëve Pushkini e kishte shumë për zemër, pasi pjesa dërrmuese ishin miqtë e tij dhe nuk qe pjesë e komplotistëve vetëm sepse asokohe ishte tashmë në mërgim. Megjithatë, ai nuk shkroi kurrë ndonjë vepër prozë në rusisht për ato ngjarje.

Po ashtu, është kureshtare që në vitet 1860 Dyma vizitoi Rusinë. Bëri një ndalesë të shkurtër në kryeqytet dhe shkrimtari u nis për në Kaukaz (ku kishte qenë edhe Pushkini), madje takoi prototipat e disa prej personazheve në “Mjeshtri i Skermës”.

Dyma tregoi interes të madh për letërsinë ruse. Ai përktheu, midis të tjerave, “Odën e Lirisë” të Pushkinit, ndjenjat revolucionare të së cilës kishin çuar në mërgimin e poetit rus, si dhe romanin e Lermontovit “Një hero i kohës sonë”. Thuhet se Dyma nuk dinte rusisht dhe ndihmohej nga shkrimtari Dmitri Grigoroviç (i cili ishte gjysmë francez).

Çfarë kishin të përbashkët Pushkini dhe Dyma?
Dyma dhe Pushkini kishin një sërë gjërash të përbashkëta. Për shembull, të dy kishin rrënjë afrikane. Stërgjyshi i Pushkinit ishte etiopiani Abraham Gannibal, i cili kishte qenë marrëdhënie të ngushta me Pjetrin e Madh, ndërsa gjyshja e Dymasë ishte një skllave zezake nga ishulli i Haitit. “Ai ishte si një forcë e natyrës, sepse gjaku afrikan lëvrinte në venat e tij”, kështu përshkruhet Dyma nga biografi i tij, Andre Maurois. Bashkëkohësit gjithmonë kanë thënë gjëra të ngjashme për Pushkinin. Për më tepër, ata ishin pothuajse në të njëjtën moshë, Pushkini që kishte lindur në 1799 dhe Dyma në 1802. Të dyve iu duk disiplina dhe kufizimet e rënda, të dy ishin pasionantë dhe impulsivë dhe kishin një dashuri të jashtëzakonshme për gratë dhe të dy përfunduan në mospëlqim dhe kaluan në mërgim… Mjafton të shikojmë portretet e dy shkrimtarëve – ngjashmëria është e dukshme.

Po ashtu shkrimi i dorës së dy shkrimtarëve ishte tmerrësisht i ngjashëm… Një tjetër fakt interesant mbështet teorinë e konspiracionit: emri i protagonistit kryesor në “Konti i Monte Kristo” i Dymasë është Edmond Dantes (ndërsa “vrasësi” i Pushkinit ishte Xhorxh-Sharl d’Antes). Dantes i Dymasë inskenoi vdekjen dhe i dha vetes një identitet të ri si Konti i Monte Kristos. A nuk mund të jetë kjo një aluzion nga Pushkini (dhe një përpjekje për të shfajësuar Xhorxh-Sharl d’Antes, të cilin fansat e Pushkinit ende e urrejnë në heshtje)? Në “Eugjen Onjegini” kemi përshkrimin e një dueli dhe vdekjen e poetit Lenski për shkak të xhelozisë, që përshtatet paksa shumë ngushtë me historinë e jetës së vetë Pushkinit.

Dikush mund të shtojë se të dy shkrimtarët ishin shumë pjellorë, të dy ishin të dhënë pas historisë dhe admirues të Lëvizjes Romantike dhe të dy punuan në zhanre të ndryshme – secili shkruante drama, romane dhe poezi.

Në tërësi, nëse dikush do të donte vërtet, ndoshta mund të besohej se Pushkini ishte Dyma… Por, atëherë do të mbetej mister se si në fund të viteve 1820 dhe në fillim të viteve 1830 (thjesht para vdekjes së Pushkinit) pjesa e Dymasë: “Henri III dhe oborri i tij”, “Antoni”, “Napolon Bonaparti ose Tridhjetë vjet histori e Francës” e të tjera, po viheshin me sukses në Paris.

Gjithashtu, si ndodhi që gjatë udhëtimit të tij në Rusi, askush nuk e njohu atë si Pushkin?