Në kulturën dhe trashëgiminë poetike të letërsisë shqipe, Ndre Mjeda është pa dyshim, një poet i madh, i fuqishëm, një zë i rëndësishëm i kohës së vet. Ai jetoi në dy periudha historike: në Rilindje dhe në Pavarësi.

Përmbajtja e poezive dhe krijimtaria poetike i përket periudhës së Rindjes, ndërsa angazhimi i tij për studimin e gjuhës shqipe, si dhe pasioni drejt gjurmimeve e njoftimeve arkeologjike do t’u përkasë të dy periudhave. Tematika e gjithë poezisë së tij ka një fokus të fuqishëm – Atdheun. Në krijimet e tij është romantik kur e shqetësojnë shpërthimet lirike e nostalgjike e dhembjemëdha “I mbetuni”, ‘Shtegtari”, “Andërr”, “Shqypes arbnore”, “Vjollca” etj; është klasik dhe i thellë kur sjell erudicionin e gjerë dhe ka të bëjë me zigzaget e kohëve prehistorike e historike të lashta, me mitet, legjendat “Lissus”, “Scodra”; është filozof dhe artist i emocioneve të fuqishme në interpretimin psikologjik të ndjenjave “Andrra e jetës”; është piktor i përsosur i peisazhit, artist i vargut dhe i figurë.

Mjeda është poet i frymëzuar nga trazime të mëdha kohore. Muza e tij është e thellë, jashtë çdo kapriçoje artistike, e përkthyer në simbole e figura mahnitëse, e derdhur në vargje plot tension, të cilat janë të lidhura ngushtë me jetën dhe artin shqiptar. Për veprimtarinë patriotike, letrare dhe gjuhësore, Ndre Mjeda zë një vend të nderuar në historinë e kulturës shqiptare./Botimet NAZARKO