A. Çehovi ishte fizikan, dramaturg dhe konsiderohet ndër shkrimtarët më të mëdhenj i tregimeve të shkurtra. Në rreth njëzet vjet krijimtari narrative dhe teatrale, në të vërtetë Anton Çehovi arriti në angazhimin vërtet unik dhe të mrekullueshëm të kapjes së tipareve thelbësore të një vendi dhe një epoke, Rusia në pjesën e fundit të shekullit XIX, duke i shndërruar ato në tiparet themelore të gjendjes njerëzore në çdo vend dhe në çdo kohë. Ja përse tregimet e tij, rrëfimet e tij skica të shkurtra dhe shpërthyese, teatri i i konsideruar si i lehtë (fillimet e shfaqjeve) dhe dramat e tij të shkëlqyera të pjekurisë (“Pulëbardha”, “Tri motrat”, “Xhaxha Vanja” dhe “Kopshti i qershive”) formojnë një tërësi të plotë, ato na ofrojnë një pamje të saktë të një epoke dhe, së bashku, na bëjnë të kuptojmë se jeta njerëzore ka qenë gjithmonë e njëjtë dhe do të jetë gjithmonë e njëjtë, pavarësisht nga vendet, kontekstet shoqërore dhe arritjet, e vërtetë apo e supozuar, të përparimit dhe qytetërimit. […]

Po cili është “thelbi i Çehovit”? Është asgjëja, por jo ajo asgjëja e madhe metafizike që identifikohet në heshtjen e Zotit, në pesimizmin e Leopardit, apo në terrorin e hapësirave të pafundme të Paskalit, por më tepër ajo asgjëja e përditshme ku jemi zhytur të gjithë, asgjëja e zhveshur dhe e përbaltur e të përditshmes që nuk shkon askund, pikëlimi i orëve dhe ditëve që formojnë një përjetësi gri në miniaturë: “Muzgje të zymtë vere, momenti dritëshkurtër i ditës, – thonë rreshtat e poezisë së Iosif Brodskit “Homazh për Çehovin”, – kur tërësia humbet dhjetë për qind të së mirës”. Nëse për Italo Svevon jeta është një “sëmundje e materies”, për Çehovin jeta është një burg pa kangjella të dukshme, një peizazh monoton dhe i shkretuar që të kujton imazhet e stepave të riprodhuara nga miku i tij, piktori Levitan ose një vazhhdimësi e amullt dhe thuajse e hipnotizuar nga momente boshe që do të gjenden më vonë, në disa romanca të Rahmaninovit.

Mirëpo, Çehovi, si çdo shkrimtar i madh, i referohet vetëm vetvetes: personazhet e hasur gjatë udhëtimit do të bashkohen, rishpiken mirëfilli, në rrëfimet e mëdha të pjekurisë, madje edhe më tekstet të shumta teatrore./Botimet NAZARKO