Secili do të largohet, do të durojë ose do ta dojë vetminë, në përpjesëtim të saktë me vlerën e personalitetit të vet. Në të vërtetë, në vetmi i brengosuri ndjen gjithë trishtimin e tij dhe shpirti bujar gjithë madhështinë e tij, secili në një hapësirë të shkurtër kohore ndjen se është ai që është. […]

Njeriu i pasur me natyrë shpirtërore, mbi të gjitha do të aspirojë mungesën e dhimbjes, ta jetë në paqe, qetësi dhe plogështi, prandaj do të kërkojë një jetë të qetë, modeste, por sa më të patrazuar dhe, në përputhje me këtë, pasi të ketë njohur të ashtuquajturit njerëz për ca kohë, ai do të zgjedhë jetën e tërhequr, madje edhe vetminë në rastin e një shpirti të madh.

Paqja e vërtetë dhe e thellë e zemrës dhe qetësia e përsosur shpirtërore, të cilat, pas shëndetit, janë të mirat më të mëdha tokësore, do të gjenden vetëm në vetmi dhe si një gjendje shpirtërore e qëndrueshme vetëm në izolimin më të thellë. Nëse në një rast të tillë individualiteti i dikujt është i madh dhe i pasur, ai do të gëzojë gjendjen më të lumtur që mund të gjendet në këtë tokë të varfër.

Pra, është ndjenja aristokratike, e cila ushqen prirjen për izolim dhe vetmi. Gjithë të trishtuarit janë të shoqërueshëm, të mëshirshëm. Në vetminë, ku secili i referohet vetvetes, shfaqet ajo që është në vetvete: budallai i veshur me ngjyrë të purpurt psherëtin mandej nën peshën, nga e cila nuk mund të çlirohet nga individualiteti i tij i mjerë, ndërsa njeriu tejet i talentuar popullon dhe ripërtërin me mendimet e tij peizazhin më të shkretuar.[…]

Ajo që dikush është për vetveten, ajo që e shoqëron në vetmi dhe që askush nuk mund t’ia japë ose t’ia marrë, është dukshëm më thelbësore për të se çdo gjë që ai mund të jetë në sytë e të tjerëve, ose çfarë është në gjendje të zotërojë. […]

Nëse cilësia e shoqërisë mund të zëvendësohej nga sasia, atëherë do t’ia vlente të jetojmë edhe në botën e madhe, por fatkeqësisht njëqind bufonë, marrë nga një turmë, nuk të japin respektin as për një njeri të denjë.