Një jetë e mbushur me probleme financiare dhe momente të pasurisë së madhe, por mbi të gjitha pamaturisë. Jeta e Balzakut është një aventurë e vërtetë, deri në frymën e tij të fundit.

Balzaku është padyshim një nga personazhet më magjepsës në letërsi dhe jo vetëm për krijimin artistik, të cilin nëse e përkufizojmë si të pamasë është gati kufizuese, por edhe për historinë e tij personale. Tepër i kulturuar, falë etjes për lexime autodidakte, por edhe tepër i pafat në sipërmarrjet ekonomike, Balzaku e kaloi shtegtimin e jetës vazhdimisht mes shkrirjeve financiare, borxheve, kreditorëve (madje bëri edhe pak burg për shkak të borxheve) dhe periudhat e mirëqenies, që e çuan në blerje shumë të shtrenjta veprash arti, libra dhe mobilie, me të cilat i pëlqente të rrethohej.

Adhurues i femrave të bukura dhe i dashuruar prej tyre, ai jetoi një lidhje të gjatë dhe të veçantë dashurie me misteriozen, që i nënshkroi “e huaja” për t’i shprehur admirimin. Më vonë, doli të ishte kontesha Eve Hanska dhe, përveç disa takimeve intensive, të ndodhura gjatë udhëtimeve të gjata që kontesha bëri në Evropë së bashku me të shoqin, në Neuchâtel, në Gjenevë, në Vjenë, për më shumë se dhjetë vjet mbeti një marrëdhënie thellësisht epistolare, ku deklaratat e zjarrta të dashurisë alternoheshin me akuzat dhe grindjet e shkaktuara nga xhelozia, veçanërisht për të.

Një autor jashtëzakonisht pjellor, Balzaku filloi, si shumë “kolegë” të tjerë, me sprova në fushën teatrore, por vokacioni dhe talenti prireshin për romanin. Në episodet e “Komedia njerëzore”, mes gjërave të shumta me të cilat autori na provokon dhe na emocionon në një garë të pafund, ai është një reaksionar që për dashurinë e historisë arrin t’i bëjë personazhet të flasin në mënyrë autonome dhe t’i lejojë ata të shkatërrojnë të tyren, çdo iluzion, pasi në zemër fsheh një ide romantike dhe mesjetare, e cila sigurisht mund të rishikohet nën dritën e Frojdit, por gjithsesi mbetet praktikë dhe fat, jo vetëm femërore.

Zakonet e tij konfirmojnë se ai është një personalitet i çuditshëm, gjithmonë i vendosur midis botëve dhe klasave shoqërore, babai i ideve madhështore dhe disfatave të çmendura.

Personazhet marrin formë dhe bëhen gati bashkudhëtarë të tijtë, i ligu Votin, Rastinjaku, alpinisti, Lysjen dë Rubempre, artisti që ndjek iluzionet e suksesit, etj. – dhe romanet nuk ishin më rrëfime individuale dhe trupa të pavarur, por pjesë të një mozaiku të jashtëzakonshëm me emrin “Komedia Njerëzor”.

I dashur dhe i urryer nga bashkëkohësit, Balzaku mbetet një nga etërit themelues të romanit modern, një piktor i pakrahasueshëm i shoqërisë ku jetoi, një autor shumë pjellor dhe në disa aspekte i paarritshëm, një artist vërtet i madh.

Kur miku i tij, Viktor Hygo, i cili mbajti edhe fjalimin prekës në funeralin e tij, mësoi se mund të vdiste shumë shpejt, ai i vrapoi në shtëpi për t’i dhënë lamtumirën e fundit dhe, kur e pyesnin se si ishte Balzaku, i prekur, u përgjigjej: “Zotërinj, Evropa është gati të humbasë një shpirt të madh”.

Sido të jetë, ata që nuk e kanë lexuar Balzakun, nuk e kanë lexuar botën. Dhe jo vetëm të tyren, atë franceze dhe të shekullit të nëntëmbëdhjetë, por botën e të gjitha kohërave, bota siç është dhe nuk mund të ishte, pak rëndësi nëse është më e mira apo më e keqja e mundshme, në fund të fundit edhe Balzakut nuk i interesonte shumë.

Në të vërtetë, ky sovran i jashtëzakonshëm i letërsisë universale, donte vetëm të tregonte lëndën e zhveshur të natyrës njerëzore. Herët a vonë, në faqet e Balzakut do të takosh veten…