Bota e Andre Kaminskit është si një fishekzjarr i mahnitshëm. Gjithmonë në lëvizje si jeta e tij dhe si rrugëtimi i jetës përtej të zakonshmes.

Historitë e tij janë të mbushura me gjëra, njerëz, ngjyra. Kanë aromën e tjetërkundit, shijen e absurdit dhe të bëjnë të buzëqeshësh edhe kur kthehen në tragjedi. Andre Kaminski di të tregojë një histori dhe e bën atë me shije dhe ironi, siç e dinë tashmë lexuesit e “Viti i ardhshëm në Jerusalem”(1987), saga që duke ndërthurur historinë e dy familjeve hebreje në sfondin e perëndimit të Austro-Hungarisë kishte pushtuar audiencën ndërkombëtare. Bazuar në kujtimet e të afërmve anembanë botës, historia e Kaminskive dhe Rosenbachs lidhi fillin e brezave, duke përzier me lehtësi realitetin dhe fantazinë.

“Të vërtetën e themi dhe e shkruajmë vetëm atëherë kur nuk na mbetet gjë tjetër për të bërë”, – kishte saktësuar autori, duke u hequr prerazi çdo pretendim memuaristik. Pse mbylleni në kafazin e fakteve kur imagjinata hap horizonte marramendëse?

Gjithsesi, sekreti i Andre Kaminskit qëndron në aftësinë për të kapur shkëndijat e ngujuara në grimcën e jetës së përditshme, për t’i shpërthyer në një kaleidoskop shumëngjyrësh.

Faqet e tij sjellin në mendje disa kujtime që familjet hebreje kultivojnë me pasionin e atyre që e dinë se gjithçka kalon, por historia e saj mbetet. Janë histori që kalojnë gjuhët, kufijtë, brezat dhe në çdo takim riendin pëlhurën e çmuar të kohës.

Është kadenca e traditës, në të cilën Kaminski ngulit vrullin verbues të fabulës. Dhe në historinë e tij, realiteti ndryshon derisa të zbulohet për atë që është – një vorbull verbuese e mundësive. Pena e Andre Kaminskit është një penë vërtet interesante: e prerë, hera me ritëm të thyer, herë të tjera i aftë për spirale përshkruese, ndjellëse dhe asnjëherë ekstravagante, por sigurisht efektive.