“Qielli e di që s’duhet të turpërohemi për lotët tanë, sepse ata janë shi mbi pluhurin verbues të tokës që mbulon zemrat tona të zhuritura”.

Nuk janë të paktë ata që teksa lexojnë këtë frazë, do të kujtojnë lotët rinorë që derdhnim teksa lexonim romanet e Çarls Dikensit mbi historitë e jetimëve të tiranizuar, mbi jetët e vështira dhe mjerane të çuara mes nënshtrimeve, arratisjeve, tradhtive, kompromiseve, mundimeve e mjerimit, gjithandej mjerim.

Çarls Dikensi është autori që përfaqëson më së miri shekullin në të cilin ai jetoi, atë 1800, që, në Angli, përkoi kryesisht me mbretërimin e Mbretëreshës Viktoria dhe prej saj mori emrin “Epoka Viktoriane”. Pas një fëmijërie midis etjes për lexim dhe jetës në ajër të pastër, befas e gjeti veten duke punuar në moshë fare të re. Përvoja e punës fëmijërore e shënoi thellë, e flaku mes të margjinalizuarve, e bëri të njohë nga afër pasigurinë, turpërimin shoqëror dhe privimin që do të jenë të njëjta me personazhet e tij.

Nga ajo traumë rinore lindi ngulmimi dhe dëshira për të denoncuar atë që do ta çojë të shkruajë për më të përulurit, të denoncojë në romanet e veta jetën e vështirë të popullsisë, shtypjen, padrejtësitë e pësuara nga punëtorët, veçanërisht nga më të rinjtë dhe më të pambrojturit, si dhe të kritikojë institucionet e mirëqenies.

Në fund të fundit, kjo traumë personale e shndërroi atë në atin e romanit social. Pjesën më të madhe të jetës, Dikensi e kaloi në Londër, duke e përjetuar qytetin në të gjitha aspektet: ato të lagjeve të varfra, ku u detyrua të jetonte dhe punonte për një pjesë të rinisë dhe klasën e mesme të lartë, ku u fut pas sukseseve letrare dhe martesës. Londra shfaqet vazhdimisht në romanet e tij, parë nga këndvështrime të ndryshme, që Dikensi i bëri të tijat gjatë shëtitjeve të gjata të përditshme, veçanërisht gjatë natës. Ai na jep kështu një afresk të Londrës viktoriane me rrugët e saj të ndërlikuara, me atë ajër tymnajë plot mjegull dhe pisllëk. Dikensi shkroi gjatë gjithë jetës, duke arritur të tërhequr një lexues të gjerë dhe kryesisht të ri.

Në librin e botuar në 1849-1850, “David Koperfildi”, autori trajton çështjet shqetësuese të epokës dhe është veçanërisht i vlerësuar për kapitujt që kanë të bëjnë me fëmijërinë e protagonistit. I shkruar në vetën e parë, është romani më i dukshëm autobiografik, madje një nga sukseset e tij më të mëdha.

Pavarësisht se kishte një ndjeshmëri të madhe në identifikimin dhe paraqitjen e konflikteve shoqërore të kohës, të cilat arrin të na i përçojë pa u treguar kurrë pedant apo didaktik, rrallëherë ka qëndrim proaktiv për zgjidhjen e këtyre konflikteve. I mbeti njëfarë mosbesimi ndaj asaj klase punëtore, shfrytëzimin e së cilës ai e denoncoi, të cilën nuk e konsideronte të aftë për t’u ngritur në mënyrë autonome nga gjendja e tij, por vetëm nëpërmjet një reformizmi të ardhur nga lart.

Vërtet një “shpresë e madhe”, marrtas zhgënjyese, të cilën nuk mund ta shihte të realizuar në të gjallët. Dikensi vdiq në Londër, më 9 qershor 1870. Sot ai prehet në Abacinë Westminster, i nderuar nga admirues nga e gjithë bota. Por përmes romaneve dhe tregimeve të shkurtra, si dhe përshtatjeve të shumta filmike dhe televizive, realizuar në vite, Dikensi dhe botëkuptimi i tij vazhdojnë të kenë jehonë edhe sot e kësaj dite. Nuk është rastësi që mbiemri dikensian është krijuar për të përshkruar kushte të mjerueshme dhe të dhimbshme jetese ose pune, për t’iu referuar komploteve romantike të koklavitura, plot kthesa destabilizuese të vendosura në vende të degraduara, por të afta, në një pikë të caktuar, për të gjetur dritën në mugëtirën më të tmerrshme.