Simonë dë Bovuar është një thirrje për të qenë e fortë, këmbëngulëse, kokëfortë, e guximshme nëse është e nevojshme, vetëm në këtë mënyrë mund të jemi të lirë.

Çfarë do të thotë të jesh grua e lirë? “Një grua e lirë është e kundërta absolute e një gruaje të urtë”. Filozofja, shkrimtarja, mësuesja dhe eseistja franceze, Simonë dë Bovuar është një nga figurat kryesore të lëvizjes feministe. Në një nga veprat e saj kryesore: “Seksi i dytë”, autorja analizon gjendjen e gruas nga një këndvështrim ekzistencialist, moral dhe social. Dhe niset nga temat që lidhen me gjendjen femërore që Simonë de Bovuar e shpall veten si një nga zërat më prestigjioze dhe më me ndikim femëror në Evropë.

Në një tekst që bën jehonë edhe sot, filozofja shpjegon se qasja në votë apo një sërë njohjesh formale, nuk mjaftojnë për të ndryshuar gjendjen e gjinisë femërore. Përkundrazi, nevojitet një ndryshim i thellë në strukturën shoqërore, në marrëdhënie, në konventa.

Sipas Simonë dë Bovuar, duhet të zhvillohet një betejë që vendos gjininë mashkullore dhe femërore në të njëjtin nivel. Pa asnjë ndarje rolesh dhe modelesh që mund të gjejë një justifikim. Sepse, siç pohon Simonë dë Bovuar në “Seksi i dytë”, “Grua nuk lind, bëhesh”.

Në rrjedhën e emancipimit që ndërmerr me veten gruaja, së pari ajo duhet të pajtohet me një shoqëri që ndër shekuj ka shpërfillur barazinë reale intelektuale midis burrit dhe gruas. Edhe sot, barra e një tradite shekullore rëndon mbi supet e një gruaje, të cilën asnjë lëvizje feministe nuk mund ta fshijë me një të rënë të lapsit. Por, nëse duam të jemi gra të lira, nuk mund t’i shpëtojmë kompleksitetit, nuk mund të ngecim në një plazh me slogane dhe moto të njëanshme. Simonë de Bovuar është një thirrje për të qenë e fortë, këmbëngulëse, kokëfortë, e guximshme nëse është e nevojshme, vetëm në këtë mënyrë mund të jemi në gjendje të shihemi në pasqyrë dhe të shohim imazhin e një gruaje të lirë.

Shkrimtarja dhe eseistja, Simonë dë Bovuar konsiderohet si një nga frymëzueset kryesore të lëvizjes feministe. Ajo lindi në Paris më 9 janar 1908 në një familje të pasur, që e edukoi atë me metoda rigoroze dhe tradicionale. U diplomua për Letërsi dhe Filozofi në Sorbonë në Paris, ku takoi dashurinë e saj të madhe, Zhan-Pol Sartrë, atin e ekzistencializmit. Pas Luftës së Dytë Botërore, ajo iu përmbajt marksizmit, ndër të tjera duke marrë një rol aktiv politik në Francë. Në vitin 1949, botoi veprën e saj të parë të fokusuar në temat e emancipimit të femrës, “Seksi i dytë” .

Duke përqafuar kauzat radikale, Bovuar kundërshtoi luftën algjeriane, nxori mësime nga përvoja kubane, luftoi për abortin, duke shkruar dhe nënshkruar në 1971 “Manifesti i 343” në mbështetje të Simone Veil dhe ligjit që autorizon ndërprerjen vullnetare të shtatzënisë.

Një vit pas vdekjes së Sartrit, Bovuar botoi “Ceremonia e lamtumirave” (1981), duke rrëfyer dekadën e fundit të shokut të saj të përjetshëm. Fitorja e fundit, homazhi i fundit, do të varrosej pranë tij në Varrezat Monparnas. Dashuria e tyre ishte e aftë të shkonte përtej vdekjes: një ndjenjë e thellë, komplekse, por mbi të gjitha e lirë.