Shkrimtari, dramaturgu dhe poeti francez Henri René-Albert-Guy de Maupasant lindi më 5 gusht 1850. Në veprat e Mopasanit, gjejmë ndikimin e Zolas, Floberit dhe Shopenhauerit. Romanet dhe tregimet e shkurta rrjedhin natyrshëm në rrymën realiste dhe paraqesin tipare të kritikës së egër të shoqërisë borgjeze. Treqind tregime të shkurtra, gjashtë romane, si dhe disa vëllime udhëtimesh, vargjesh, pjesë teatri etj., një prodhim letrar i jashtëzakonshëm, që zgjati gjithsej dhjetë vjet. Nuk ishte intelektual i sofistikuar, nuk besonte në asnjë rrymë letrare dhe pranoi të futej në grupin e natyralistëve më shumë për miqësi, sesa për bindje. Të shkruarit për të nuk ishte një zgjedhje teorike, por një nevojë instinktive, një nevojë fizike me diçka të kahershme. Suksesin në krijimtari e arriti në moshën 30-vjeçare, madje dukej si një forcë e vërtetë e natyrës. Botoi mijëra faqe me një ritëm të jashtëzakonshëm, ishte i pasur, ishte i famshëm dhe po e shfrente energjinë e tij dërrmuese në një aktivitet fizik të tërbuar dhe të çrregullt.

Megjithatë, ky nxitim për të bërë dhe për të thënë gjithçka, fshihte një zonë gri, e destinuar të zgjerohej gjithnjë e më shumë dhe që dëshmohet nga fjalët e shkruara nga Mopasani për një mbesë pikërisht në periudhën e shkëlqimit të tij maksimal: “Në këtë moment ndjej kotësinë e thellë të të jetuarit, sterilitetin e çdo përpjekjeje, monotoninë e tmerrshme të ngjarjeve e gjërave, si dhe izolimin moral ku jetojmë të gjithë”. Pra, pavarësisht nga të gjitha paraqitjet, ky lloj dashnori i zjarrtë i grave dhe i gëzimit, autor i kryeveprave si “Bel ami”, “Një jetë”, “Pieri dhe Zhani” ishte një kolos argjile që strehonte brenda vetes një qenie të trazuar, të vuajtur, të obsesionuar nga frika. Prova mirëfilli dhe në të njëjtën kohë e dëshpëruar e këtij aspekti të errët, është tregimi i shkurtër i bukur “Horla” i shkruar në 1887.

Në janar 1892 Mopasan tentoi vetëvrasjen, më pas u dërgua në Paris dhe e mbyllën në azilin e një mjeku të famshëm të kohës, ku kaloi tetëmbëdhjetë muaj, duke ecur këmbadoras dhe duke lëpirë muret me gjuhë, përpara se të ndërronte jetë, pa iu dhënë mundësia mendjes të ngjitej nga errësira në të cilën ishte zhytur. “Horla” në vend të kësaj është gjithmonë i gjallë dhe i mirë mes nesh, sepse siç shkroi vetë Mopasani: “Ne jemi kaq të brishtë, kaq të çarmatosur, kaq injorantë, kaq të vegjël, ne, mbi këtë pikël balte që rrotullohet, e pafuqishme në një pikë uji”.