“Na duhen vetëm disa fjalë për të shprehur thelbësoren; na duhen të gjitha fjalët për ta bërë atë reale”

Pol Elyar konsiderohet poeti më i madh surealist. Personaliteti letrar, forca shprehëse që e karakterizon dhe lirizmi i poezive, e kanë shndërruar në një nga poetët e mëdhenj universalë. Elyari i këndoi dashurisë me të njëjtin pasion me të cilin lartësoi lirinë dhe kundërshtimin e tij ndaj luftës. Iu atribuan gjithëfarëlloj titujsh, në rrugë jo zyrtare, ndër të shumtat “Mjeshtër i poezisë surrealiste”, “Më klasiku i poetëve modernë”, “Poeti i lirisë” apo “Poeti më i madh i dashurisë” etj., edhe pse asnjë epitet nuk dukej se ishte në gjendje të përfaqësonte talentin e këtij poeti të mrekullueshëm.

Pjesa dërrmuese e poezive të tij spikat nga një freski naive, një thjeshtësi rinore, e cila i ka joshur gjithnjë lexuesit, madje edhe sot, përfshirë edhe më të rinjtë, gjë të cilën e dëshmojnë edhe vetë titujt e koleksioneve: “Të vdesësh për të mos vdekur” (1924), frymëzuar nga Terezë d’Avila, “Kryeqyteti i dhimbjes”, vepra e tij madhështore që përfundoi kur u bashkua me Partinë Komuniste Franceze, në 1926, “Dashuria, poezia” (1929), “Jeta e menjëhershme (1932), “Në takimin gjerman” (1944), “Koha rrjedh” (1947).

Elyar e kishte bërë të vetën kërkesën e pakompormistë të Lautremontit: “Poezia duhet të bëhet nga të gjithë. Jo nga një”, e cila në gojën e tij do përkthehej: “poezia duhet të ketë si qëllim të vërtetën praktike”. Nga poezitë e para, në 1913, deri në përmbledhjen e fundit në pragvdekje, Pol Elyari nuk reshti së shkruari për dashurinë. Dashuri e çmendur për mikeshat Gala dhe Nusch, për lirinë, për njerëzimin. Ai ishte një poet humanist, me vargjet e tij luftoi kundër padrejtësive, urrejtjes, tmerrit të luftës. Ai i thuri lavde dashurisë, lirisë dhe vëllazërisë./Botimet NAZARKO

Vargjet e tij “J’écris ton nom Liberté” (Shkruaj emrin tënd Liri), gjenden në hollin e madh të pallatit të Këshillit të Evropës, në Strasburg:

Në fletoret e shkollës

Mbi bango dhe pemët

Mbi rërë dhe dëborë

Shkruaj emrin tënd Liri!