A është dituria një ilaç i dobishëm për injorancën?

Edhe injoranca mund të ketë meritat e saj, jo më pak për lexuesit dhe kritikët e librave. Siç vëren satiristi i shekullit të 18-të, Xhorxh Kristof Lihtenberg: “Një nga shpikjet më të mëdha të mendjes njerëzore është arti i gjykimit të librave pa i lexuar ato”.

Po ashtu, Oskar Uajlld e përpunoi të njëjtën ide në dialogun “Kritiku si artist” në 1891, ku njëri nga personazhet shprehet: “Duhet të jetë tejet e lehtë që në gjysmë ore të thuash nëse një libër ia vlen apo jo. Dhjetë minuta janë vërtet të mjaftueshme, nëse dikush ka instinktin e krijimit”.

Studiuesi francez i letërsisë Pier Bajard i kushtoi plot një libër kësaj ideje në vitin 2007. Në “Si të flasim për librat që nuk i keni lexuar”, Bajard reflekton mbi librat që nuk i njohim, librat që nuk i kemi parë, librat që nuk i kemi dëgjuar dhe librat që i kemi harruar. Çështja është se këta autorë nuk janë cinikë, por dashamirës të librave; ata besojnë se injoranca e pjesshme, në mënyrë paradoksale, mund të stimulojë të kuptuarit dhe krijimtarinë, duke i lejuar lexuesit e painformuar t’i trajtojnë librat si organizma të gjallë dhe të zhvillojnë idetë e tyre rreth tyre.

Mungesa e njohurive mund të nënkuptojë lirinë për të ditur. Për të përmendur një shembull tjetër, në studimet e biznesit, “injoranca krijuese” mendohet se çon në risi, që nuk pengohet nga frenimet e shkaktuara nga dija.

Në fe, fakti që Zoti është i panjohur ka shërbyer për të intensifikuar besimin e shumë besimtarëve të krishterë. Ata që lavdërojnë injorancën kanë qenë, të paktën që nga iluminizmi, në pakicë. Në “Injoranca: Një histori globale”, Peter Burke mban anën e shumicës së atyre që i kushtojnë pak vëmendje kënaqësive të injorancës; ai paralajmëron lexuesin se “pasojat negative të injorancës në përgjithësi i tejkalojnë ato pozitive”.

Është e vështirë të dakordësohesh me këtë, por mund të jetë, pra, e thënë që Burke nuk përmend poezinë e një studiuesi tjetër të Kembrixhit, Thomas Grey (1716-71), i cili shpiku frazën “injoranca është lumturi”. Libri i ri i Burke është plotësues me veprën e tij të mëparshme mbi historinë shoqërore të dijes: “Injoranca” është një libër i stilit iluminist, që e sheh diturinë si një ilaç të dobishëm për injorancën.

Megjithatë, Burke nuk pranon konceptin Whiggish se injoranca, në tërësi, është në rënie. Përkundrazi, ai tregon se ka vetëm ndryshime në njohuri: në periudha të ndryshme, shoqëritë kanë vlerësuar lloje të ndryshme njohurish, ndërsa sasia e njohurive që zotërojnë individët priret të mbetet afërsisht e njëjtë. Logjika, sipas Burke nuk është sakaq e dukshme, por ritmi duket se vazhdon në një kreshendo paralajmërimesh për pasojat e injorancës. Pasi vendos një tipologji të injorancës (aktive kundër pasive; individuale kundër kolektive), Burke e fillon studimin tematik me fenë, ku, për shumë prej atyre që besojnë, mungesa e njohurive për besimin e tyre tejkalohet vetëm nga injoranca e tyre për fetë e tjera.

Nga ana tjetër, shkenca është specializuar kaq shumë, saqë tani është e paarritshme jo vetëm për publikun e gjerë, por edhe për shumicën e shkencëtarëve. Në gjeografi, Toka është eksploruar në mënyrë të njëpasnjëshme, por të kuptuarit e mjedisit për shumë është ende kufiri tjetër. Politikanët kanë përfituar nga specializimi profesional, por ka shembuj të dukshëm të liderëve që u mungojnë njohuritë e gjera, me Donald Trump që vuan “nga injoranca në formën e saj akute: atë të mos dijes se ai nuk e di”.

Si historian, është e përshtatshme që Burke të përfundojë me kapitullin mbi “Injorimin e së kaluarës”. Historianët kanë qenë të vetëdijshëm për pasigurinë e historisë (për shkak të mungesës së provave) dhe për paragjykimet e përfshira në provat ekzistuese (për shkak të paragjykimeve të shkrimtarëve) të paktën që nga shekulli i 17-të.

Megjithatë, rreziqet e plota të injorancës së historisë bëhen dukshëm të qarta, kur vendimmarrësit nuk arrijnë të mësojnë nga e kaluara. Libri është një deklaratë e dashurisë për arsimin, e cila duhet të lexohet nga kushdo që dëshiron të reflektojë mbi marrëdhënien midis populizmit mashtrues dhe mungesës së dijes.

Duke perifrazuar sociologun francez Mishel Krozje, Burke përfundon: “Atyre me pushtet shpesh u mungojnë njohuritë që u nevojiten, ndërsa atyre që zotërojnë njohuritë u mungon fuqia”.