Ivan Turgeniev (1818-1883) ishte një shtyllë e vërtetë e letërsisë ruse. Sot emri i tij qëndron i përligjur përbri emrit të dy shkrimtarëve të tjerë të famshëm dhe të lavdëruar: Lev Tolstoi dhe Fjodor Dostojevski. Një treshe që pak a shumë dominon sezonin e lumtur të romanit rus.

Në fund të fundit, libra të tillë si “Ngadhënjim i dashurisë”, “Dashuria e parë” dhe “Etër dhe bij” janë dëshmi e një talenti të madh. Një talent, pa dyshim, në polemikë të hapur me shoqërinë ruse të epokës kur jetoi. Gjuha e pastër, bukuria e shprehjes së ndjenjave që rrjedhin si ujërat pranverore, na njeh me Turgenievin, psikologun e thellë, stilistin e përkryer dhe, mbi të gjitha, shkrimtarin që iu dha me mish e me shpirt vendit të tij.

Djali i një familjeje të pasur dhe të vjetër (babai, i cili vdiq ende i ri, kishte qenë oficer i lartë në ushtrinë cariste, ndërsa nëna zotëronte prona të mëdha dhe një mori skllevërish), Ivan Turgeniev kishte studiuar në Berlin për një kohë të gjatë, duke hyrë kështu në kontakt me botën perëndimore. Një përballje që e shënjoi thellë, që e bindi se sa larg dhe e prapambetur ishte ende Rusia. Kur u kthye në atdhe, shkrimtari u dha menjëherë zë ideve të tij properëndimore, duke trajtuar çështje sociale dhe të dashura edhe për dy autorët e mëdhenj rusë të asaj periudhe, si nevoja për të shfuqizuar skllavërinë. Për ta bërë vendin të përparojë në një farë mënyre.

Megjithatë, “Etër dhe bij”, për shumë kryevepër e padiskutueshme, nuk u prit mirë nga kritikët. Edhe radikalët e rinj e sulmuan ashpër. Një qëndrim që e lëndoi thellë autorin, i cili që atëherë preferoi të jetonte larg Rusisë. Në të vërtetë, vdekja e çoi në Bougival, afër Parisit, më 3 shtator 1883. Në 1879, universiteti prestigjioz i Oksfordit – Nemo Propheta ne patria – i dha një diplomë ad hororem për vizionin largpamës.