Mjeshtri i penës ruse, Ivan Sergejeviç Turgenjev, tri vjet më i madh se Fjodor Dostojevski dhe dhjetë vjet më i madh se Lev Tolstoi, ishte më perëndimori nga tre romancierët e mëdhenj, që bënë lavdinë e letërsisë ruse në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të.

Në shumë mënyra, Turgenjev ishte më enigmatiku mes tyre. Realist, edhe pse i tërhequr drejt simbolizmit dhe të mbinatyrshmes në karrierën e mëvonshme. I njohur për përshkrimet autentike të jetës ruse, ai kaloi periudha të gjata në Evropë. Edhe pse qëndroi larg politikës, çështjet kryesore politike të Rusisë së shekullit të nëntëmbëdhjetë janë qendrore në krijimtarinë e tij.

Interesi për Turgenjevin mbetet i fortë në shekullin XXI, jo vetëm falë përgjegjshmërisë së punës ndaj qasjeve kritike bashkëkohore, po edhe nga njohja e vazhdueshme e rëndësisë së këndvështrimit që ai kishte mbi kompleksitetin e përhershëm të marrëdhënieve Rusi-Evropë.

Ai e përshkruan jetën ashtu siç është, duke zgjedhur tema nga çështjet më të nxehta aktuale. Turgenjev di të jetë qytetar pa qenë tendencioz, duke ndërthurur të vërtetën me poezinë dhe bukurinë. Tregimet e shkurtra, përfshi “Dy miqtë” (1853), “Qoshku i qetë” (1854), “Asja” (1857), “Dashuria e parë” (1860) – janë kryevepra freskie dhe poezie. Nuk reshti së shkruari deri në fund të jetës, edhe pse puna e tij mori një drejtim të ri.“Ngadhënjim i dashurisë” (1881), “Klara Milic” (1882), ai u kushton rëndësi forcave fantastike dhe okulte. Në “Senilia” (1879-1882), mbledhur nën titullin “Prozë poetike”, autori shpreh agnosticizmin pesimist të ndikuar fuqishëm nga Shopenhauer.

Gustav Floberi e konsideronte “mjeshtër” Turgenjevin. “Sa më shumë të studioj, aq më shumë aftësia jote më lë pa fjalë”, – i shkroi ai romancierit në 1863. Kurse William Dean Howells, në 1895, shkroi: “Jeta m’u shfaq me ngjyra të ndryshme” pasi lexova Turgenjevin. “Kush tjetër përveç Turgenjevit, – vazhdon, – e ndjeu kuptimin e larmishëm dhe të pikëlluar të ajrit të natës që hynte në dritaren e hapur, të zjarreve që përflaken në errësirë në fushat e largëta?”.

Romani “Etër dhe bij” ishte një nga veprat më të njohura, njëherazi konsiderohet një nga romanet më të mirë të shekullit të 19-të. Kur botoi “Etër dhe bij” të dyja segmentet politike, e majta dhe e djathta ruse, nuk i besuan. Të parët mendonin se romani ishte shumë kritik ndaj revolucionarëve të rinj, të dytët se nuk ishte mjaftueshëm kritik.

Megjithëkëtë, për një kohë të shkurtër romani e shndërroi atë në dekanin e letërsisë ruse në sytë e Perëndimit. Turgenjev ishte i gjithanshëm, përpos gjuetisë, letërsisë dhe muzikës, ishte i dhënë pas shahut. Madje, u quajt shahisti më i mirë midis shkrimtarëve. Kujtesa fenomenale, vëmendja, dëshira për fitore – këto cilësi e bënë Turgenjevin një lojtar të patejkalueshëm.

“Mumu”, ndoshta nga tregimet më të njohura të Turgenjevit, histori të cilën e shkroi pas vdekjes së mikut të ngushtë Gogol, bazohet në ngjarje reale, duke përshkruar njerëz të njohur në rininë e tij. Një shërbëtor shurdhmemec humbet vajzën që dashuron, kur detyrohet të martohet me një tjetër. Më pas, e urdhërojnë të vrasë qenin e dashur, sepse të lehurat shqetësonin gjumin e zonjës së tij. Duke ngjallur keqardhje për shurdhmemecët, Turgenjev qartazi e vendos fajin për këtë padrejtësi njerëzore dhe sociale në derën e zotërinjve të pandjeshëm.

Me fizik shtatlartë, ai kishte një zë jashtëzakonisht të lartë, një karakter të dashur dhe të përkushtuar dhe nuk u martua kurrë. Miku i Floberit dhe Mopasanit, lindi në Rusi, në 1818, jetoi në Bougival (Yvelines) nga viti 1874 deri në vdekje. Shtëpia e tij është kthyer në muze. Forma, përmbajtja, realizmi jashtëzakonisht i matur, shija, talenti i tij për përgjithësim pa pedantizëm, janë cilësi ndaj të cilave askush nuk mund të qëndrojë indiferent.

Filozofia e Turgenjevit mund të përmblidhet: që nga lindja, njeriu është fajtor; ekzistenca e tij është vetëm shlyerja e këtij faji të parë dhe ai kurrë nuk mund të falet për këtë mëkat. Për më tepër, liria e individit nuk është e tillë që ai të mund të jetojë ndonjëherë jetën që dëshiron: karakteri, nxitur dhe nga rrethanat, e detyrojnë vazhdimisht të marrë udhën e zgjedhur jo domosdoshmërisht me vetëdije.

Nga ky këndvështrim, mund të themi se është pikëllimi ai që dominon dhe se vetëm iluzioni mund të lejojë, pra, të durojë një ekzistencë të atillë.