Joseph S. Le Fanu vdiq në Dublin, më 7 shkurt 1873, nga një krizë bronkiti. Edhe sot, më shumë se një shekull e gjysmë pas vdekjes së tij, Joseph Sheridan Le Fanu konsiderohet “shkrimtari më i aftë i trillimeve të mbinatyrshme angleze”: pena e tij është përgjegjëse për rilindjen e romanit horror dhe gotik, si dhe për ndikimin vendimtar të mëvonshëm në letërsi.

Ndoshta “Drakula” e Bram Stokerit nuk do të ekzistonte sot, vampiri më i famshëm në historinë letrare, nëse Le Fanu nuk do të kishte krijuar personazhin shqetësues dhe turbullues të “Kamilës” asokohe.

Shkrimtari irlandez shquhej për endjen e atmosferave që të linin pa frymë, të nuancuara me shqetësim, të cilat nuk synonin tronditjen direkte të lexuesit me “efekt lemerie”, por depërtonin në mendjen e tij, duke ngjallur një pezullim të papërshkrueshëm dhe duke thelluar një mister të pazgjidhshëm që nuk gjeti shpjegim dhe, si rrjedhojë, dukej më reale.

Le Fanu kujtohet si novator i historive të fantazmave, një krijues superfinal i ambienteve të zymta dhe dekadente. Në të vërtetë, ai arriti të shkruante kaq mirë për fantazmat dhe shpirtrat djallëzorë, sepse, në jetën e përditshme, ai ishte i rrethuar prej tyre.

Ai përjetoi pashmangshmërinë e vdekjes në një moshë të re, përmes humbjeve të hershme që e shënuan thellë dhe, për pjesën më të madhe të moshës madhore, ai u përball me traumën e një ngjarjeje katastrofike: vdekjen e të shoqes, një humbje që nuk do t’i jepte kurrë paqe dhe ai do ta mbante gjithmonë me vete, si një plagë të gjakosur, deri në vdekje.

Vitet e para pas vdekjes qenë të vështira: fitimet ishin të pasigurta, suksesi nuk i buzëqeshi dhe pasiguria ekonomike ishte konstante.

Pas vdekjes së motrës së madhe, Katerinës, në 1841, Le Fanu shkroi novelën “Spalatro”, ku rrëfente pasionin nekrofilik të një heroi, të quajtur Spalatro, për një grua të bukur që ushqehej me gjak. Gruaja misterioze do të përpiqet të shpëtojë heroin nga dënimi i përjetshëm, që duket se është fati i tij. Në këtë tregim tashmë mund të gjejmë embrionin e komplotit të “Kamilas”, kryeveprës letrare të autorit.

Rimëkëmbja qe graduale: shkrimtari bleu Revistën e Universitetit të Dublinit dhe u bë redaktor i saj, duke kapërcyer kështu problemet ekonomike. Në faqet e gazetës ai botoi tregimet e tij me fantazma, të cilat filluan të tërhiqnin një audiencë gjithnjë e më të madhe.

Më vonë, ai botoi romanin “Shtëpia mbi varrezë” (1864), ku rrëfente vendet e fëmijërisë. Suksesi i prozës letrare të Le Fanu ishte, në retrospektivë, për shkak të një intuite shumë moderne: ai ishte një nga shkrimtarët e parë që zbuloi paralelin e ngushtë midis kushteve psikologjike dhe të mbinatyrshmes. Shumë nga të ashtuquajturat “fantazma” nuk ishin gjë tjetër, veçse produkte të pavetëdijes së individit: ato buronin nga dhimbjet e ndërgjegjes, keqardhjet dhe kujtimet që u kthyen në shfaqje të papritura.

Le Fanu e ndjeu atë, ndoshta duke e përjetuar në lëkurën e tij, duke e shndërruar në lëndë letrare. Arti letrar i Le Fanu konsistonte në futjen e një ndjenje të vazhdueshme kërcënimi në “normalitetin” e dukshëm të jetës së përditshme: ai dinte të krijonte personazhe të pasigurtë, shqetësues, me një ngarkesë të fortë erotike, të aftë për të kombinuar dy shtytjet e kundërta të erosit dhe thanatos në një kombinim të papërmbajtshëm, që kishte një ndikim vendimtar në psikikën e lexuesit.

Le Fanu u përcaktua nga pasardhësit si Mjeshtri i shqetësimit, madje autorët e brezave të mëvonshëm u përpoqën të imitonin teknikat e tij. Le Fanusë i detyrohemi mbi të gjitha faktin që ai solli mitin e vampirit falë “Kamilës” shqetësuese. Protagonisti i kësaj historie, të shkruar në vitin 1872, përmbledh të gjitha karakteristikat e personazhit të vampirit, duke dekretuar de facto fillimin e një tendence të re letrare.

Mbase penës gjeniale të Le Fanusë i detyrohemi mbi të gjitha për këtë intuitë të shkëlqyer: pasi ka zbuluar – dhe ekspozuar – para lexuesve hijeshinë okulte të së keqes.