“Koha për të lexuar, si koha për të dashuruar, zgjat kohën për të jetuar”

Për të përjetuar relativitetin e kohës, s’është e nevojshme të thellohemi në teoritë e Ajnshtajnit, apo të përdorim ndonjë mekanizëm të zgjuar kohe, thjesht hapni një libër dhe kridhuni kokëngulthi mes rreshtave. Sapo të kridheni, dalëngadalë koha do të fillojë të tretet, duke u shkrirë së fundmi në një mjegullim të lehtë që mund të na izolojë nga bota e jashtme.

A mund të na e ndryshojë jetën një libër? Pa dyshim që po. 

Fundviti po afron dhe ky është momenti, kur dalim në përfundime të pashmangshme. Muajt ​​fluturojnë, stinët pasojnë njëra-tjetrën dhe jeta, si gjithmonë, ndryshon. Ajo ndryshon, përmirësohet dhe bashkë me të edhe ne. Çfarë mund të mbetet besnik në këtë proces që përsëritet çdo vit? Libri. Një libër është gjithmonë i gatshëm për të na mirëpritur, pavarësisht nëse na dhurohet për Krishtlindje apo na rrëmben vështrimin nga rafti i librave. Sa herë ka ndodhur të lexojmë një roman, një ese apo një poezi, pikërisht në momentin kur kemi pasur më shumë nevojë? Besnik si mik, fleta e letrës dhe bojës është në gjendje të na këshillojë, të na frymëzojë dhe po, madje të ndryshojë jetën tonë.

Ka lexime që na zgjojnë nga përgjumja, që na shpojnë si gjilpërëza e busullës drejt asaj që kërkonim, por ende nuk e kishim kuptuar, të tjerë na bëjnë të mendojmë me kaq thellësi, sa të rishfaqemi me këndvështrime të ndryshme. Një forcë e vërtetë për ndryshim. Të lexuarit mund të duket si pjesë e jetës së përditshme, por trajtimi që mund t’i bëjmë i kalon suazat e të zakonshmes: vendosim rregull në çrregullim, duke marrë
parasysh realitete të ndryshme nga tonat dhe, kushedi, ndryshojmë mënyrën e të jetuarit, më mirë, se më parë.

“Unë pyes librat dhe ata më përgjigjen. Ata flasin dhe këndojnë për mua. Disa më bëjnë
të buzëqesh ose më krijojnë prehje zemre. Të tjerët më mësojnë si të njoh vetveten”
(Francesco Petrarca).

A mund ta ndryshojnë  vërtet  letërsia dhe  librat jetën e njerëzve? Ne pretendojmë se po. Besojmë se librat  mund të jenë mësues të jetës dhe të na shoqërojnë gjatë rrugëtimit tonë, duke na formuar dhe ndryshuar mënyrën tonë të të menduarit. Nëse besoni në fuqinë dhe magjinë e një libri, zgjidhni librin tuaj dhe lëreni që t’ua ndryshojë rrjedhën e jetës.

Ndaj sot, nesër dhe gjithmonë, le të hapim librat dhe të mbështetemi në fuqinë e tyre për të udhëtuar në kohë, por edhe për të kapërcyer barrierat, për të çjerrë pëlhurën që na pengon të jemi të lumtur, për të njohur veten dhe botën. Ne hapim libra për të jetuar.