Një emër, një mister, një mrekulli.

Pianiste me karrierë të shkëlqyer në vitet 1920-30, muzikante me zë të fuqishëm dhe shumë origjinal, por soliste e panjohur në Evropë, madje kurrë nuk kishte mundur të dilte nga BRSS, Marija Judina ende sot mbetet një mit në Rusi.

Mike e Boris Pasternakut, e cila lexoi për herë të parë, në shtëpinë e saj, disa pasazhe të “Doktor Zhivagos”, ajo qe edhe përkrahësja besnike e filozofit dhe kritikut Mihail Bakhtine.

Admiruese e muzikës së Stravinskit, Krenekut etj., kompozitorë që nuk shiheshin me sy të mirë në Rusi, ajo arrinte të merrte partiturat e tyre dhe t’i luante kur i jepej mundësia. Ajo grua e çuditshme dhe me pamje të shkujdesur, veshur me të zeza dhe shkujdesur, ishte mbretëresha e pianos.

Gjeninë e saj diktatori e zbuloi, në 1943, dhe qau me lot, kur dëgjoi në radio koncertin “Opus 23” të Moxartit. Është i vetmi rast kur Stalini, përballë qëndrimit dinjitoz të pianistes, nuk jep urdhër për dënimin e saj me vdekje.

Romani emocionues për jetën e Marija Judinës, është afresku i një bote që duket se ka kaluar, por që në thelb mbetet dhe do të jetë gjithmonë, deri në fund të kohës.

Një botë me shpresa të mëdha dhe zhgënjime tragjike, me heroizëm të rrallë dhe një sasi të madhe frikacake, të bukurisë kundër shëmtisë, të së vërtetës kundër gënjeshtrës, të muzikës së sferave qiellore kundër kakofonisë së shfrenuar këtu në tokë, një tokë e përgjakur, ku, me dëshirën e Zotit, herë pas here, rrallë dhe gjithnjë e më rrallë, lind një gjeni si Marija Judina që lë gjurmë, si për të justifikuar ekzistencën tonë, apo mbijetesën tonë të varfër, në sytë e qiellit.