Autori i kryeveprës “Në kërkim të kohës së humbur”, Marsel Prusti konsiderohet ndër shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit XX. Madhështia dhe origjinaliteti i shkrimtarit francez lindin nga përzierja e dy poetikave të kundërta. Nga njëra anë, një aftësi e madhe analitike dhe nga ana tjetër, lartësimi i formave intuitive të njohjes dhe brendësisë së individit. Në këtë mënyrë, Marsel Prusti ndërtoi një model të ri romani, i cili vijon të shërbejë si pikë e përsosur referimi për letërsinë botërore. Ai njihet si prototipi i shkrimtarit të paangazhuar, ekskluzivisht i vëmendshëm për punën e tij. Po ashtu, vëllimi i fundit i “Në kërkim të kohës së humbur, koha e gjetur”, përbën njëherazi një libër domethënës mbi Luftën e Parë Botërore, në të cilin shkrimtari pikturon fundin e një bote.

“A jam romancier?” – pyet veten Marsel Prusti në fletoren e tij në vitin 1908. Shkrimtari vë në dyshim natyrën e veprës në zhvillim dhe pyet veten nëse po i jep jetë një romani, apo një studimi filozofik. Pa dyshim, që të dy në të njëjtën kohë. Prusti skicon fenomenologjinë e një game të tërë ndjenjash, nga butësia deri tek izolimi, zhdukja, mungesa, vdekja, ndarja, braktisja. Ai e adhuronte izolimin vullnetar. Kishte nevojë për heshtje, tërheqje dhe vetmi, për të ndërtuar punën e vet./Botimet NAZARKO