Shambhala, që në sanskrisht do të thotë “vendi i paqes” ose “vendi i heshtjes”, është një parajsë mitike, për të cilën flitet në tekstet e lashta, përfshi “Kalachakra Tantra” dhe shkrimet e shenjta të lashta të kulturës Zhang Zhung, që i parapriu budizmit tibetian në Tibetin perëndimor. Sipas legjendës, është toka ku mund të jetojnë vetëm njerëzit me zemër të pastër, pra ata që kanë arritur ndriçimin. Prandaj, mbretëria mitike budiste e Shambhalas është një vend ku mbretëron dashuria dhe mençuria, ku njerëzit janë të imunizuar ndaj vuajtjes, varfërisë ose pleqërisë.

Çfarë është Shambhala? Thuhet se Shambhala është vendi me një mijë emra. Është quajtur Toka e Ndaluar, Toka e Ujërave të Bardhë, Toka e Shpirtrave Ndriçues, Toka e Zjarrit të Gjallë, Toka e Zotave të Gjallë, madje edhe Toka e Çudirave. Hindutë e quajnë Aryavartha (“Toka e të Denjëve”); kinezët e njohin si Hsi Tien, Parajsa Perëndimore e Hsi Wang Mu; për besimtarët e vjetër rusë, njihet si Belovoyde. Por në të gjithë Azinë, ajo njihet më së miri me emrin sanskrisht Shambhala, Shamballa ose Shangri-la.

Thuhet se legjenda e Shambhalës daton mijëra vjet më parë dhe referenca për tokën mitike mund të gjendet në tekste të ndryshme antike. Shkrimet e Bonit flasin për një tokë të lidhur ngushtë të quajtur Olmolungring. Tekstet hindu si Vishnu Purana përmendin Shambhala si vendlindjen e Kalkit, mishërimi i fundit i Vishnusë, që besimtarët pretendojnë se do të sjellë Epokën e re të Artë. Miti budist i Shambhalës është një përshtatje e mitit të mëparshëm hindu. Megjithatë, teksti ku Shambhala diskutohet gjerësisht është “Kalachakra”. Ashtu si me shumë koncepte në “Kalachakra”, ideja e Shambhalas thuhet se ka kuptime të jashtme, të brendshme dhe alternative. Kjo e bën të komplikuar për të pa iniciuarit, që të kuptojnë vërtet se çfarë është Shambhala. Kuptimi i jashtëm kupton se Shambhala ekziston si një vend fizik, megjithëse vetëm individët me karmën e duhur mund ta arrijnë atë dhe ta përjetojnë atë si të tillë.

Siç vë në dukje Dalai Lama i 14-të gjatë fillimit të Kalachakra në 1985 në Bodhgaya, Shambhala nuk është një vend i zakonshëm:“Megjithëse ata me përkatësi të veçantë mund të jenë në gjendje të shkojnë atje përmes lidhjes së karmës, prapëseprapë nuk është një vend fizik që ne mund ta gjejmë në të vërtetë. Mund të themi vetëm se është një tokë e pastër, një tokë e pastër në sferën njerëzore. Dhe nëse dikush nuk ka meritën dhe lidhjen aktuale të karmës, nuk mund të mbërrijë atje”.

Koncepti i Shambhalas luan një rol të rëndësishëm në fenë tibetiane dhe ka një rëndësi të veçantë në mitologjinë tibetiane për të ardhmen. “Kalachakra” profetizon përkeqësimin gradual të njerëzimit, ndërsa ideologjia e materializmit përhapet në tokë. Megjithëse “Kalachakra” profetizon një luftë të ardhshme, kjo duket në kundërshtim me betimet e mësimeve budiste që ndalojnë dhunën.

Kjo ka bërë që disa teologë ta interpretojnë luftën në mënyrë simbolike – Kalachakra nuk po mbron dhunën kundër njerëzve, por më tepër i referohet betejës së brendshme të praktikuesit fetar kundër prirjeve të brendshme demoniake. Për disa, fakti që Shambhala nuk është gjetur kurrë, ka një shpjegim shumë të thjeshtë – shumë besojnë se Shambhala shtrihet në skajin e realitetit fizik, si një urë që lidh këtë botë me një përtej saj.

Ndërsa shumë e shpërfillin Shambhalan si subjekt fantastik të mitit dhe legjendës, për të tjerët, besimi në Shambhala ngjall një dëshirë të brendshme për ta gjetur një ditë këtë mbretëri utopike.